E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Ligji për vlerat e luftës është gati

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 19:15

Ligji për vlerat e luftës është proceduar në Qeveri dhe është përgatitur në mënyrë teknike, por Qeveria ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe disa përgjigje shtesë.

Këtë përgjigje ka dhënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të mërkurën në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, duke dërguar sinjale shprese te veteranët grevistë për procedimin dhe miratimin e shpejtë të këtij ligji, për të cilin deri tani kanë bërë 38 ditë grevë në tendat para ndërtesës së ekzekutivit të vendit.

Kuçi ka thënë se çështja e pagesave për familjet e dëshmorëve dhe invalidët është e kryer, por nga FMN-ja është kërkuar që të jep një shifër të përafërt për përfitimet tjera të veteranëve dhe familjarëve të tyre.

“Ligji për vlerat e luftës është proceduar në Qeveri, është përgatitur në mënyrë teknike, kemi kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe disa përgjigje shtesë. Jo për të ardhurat që marrin familjet e dëshmorëve dhe invalidët, por për përfitimet që mund të vijnë për kategoritë tjera të veteranëve. Ne i kemi dërguar pyetjet tona, besoj se shumë shpejt do ta marrim një ‘feedback’ nga ana e tyre”, është shprehur zëvendëskryeministri Kuçi.

Megjithëse ka tentuar t’i shmanget pyetjes, ai megjithatë është përgjigjur edhe për kërkesën e besimtarëve myslimanë, të cilët për të tretën herë kanë paralajmëruar që këtë të premte të protestojnë duke u falur në rrugë.

“Nuk është që s’e mbajtja në mend, por nuk e pata ndërmend të jap përgjigje. Ajo që mund të them është i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe ata besimtarë, e dini që Kushtetuta e Kosovës garanton liritë fetare, garanton ushtrimin e besimit fetar, garanton autonominë e organizimeve të tilla, në kuptimin e bashkësive fetare, por ne i ftojmë që ta respektojnë rendin dhe ligjin, të respektojnë hierarkinë, të respektojnë institucionet dhe përmes tyre ta bëjnë zgjidhjen. Dhe unë mendoj që komuna e Prishtinës në këtë rast duhet ta japë përgjigjen, sepse është adresuar për atë. Çdo zgjidhje që e bën komuna ne e mbështesim”, është shprehur Kuçi.

Besimtarët myslimanë, të organizuar nga Lëvizja “Bashkohu” kanë paralajmëruar për këtë të premte sërish faljen e namazit në rrugë, në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesës për ndërtimin e një qendre islame në Prishtinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka paralajmëruar besimtarët myslimanë që gjatë protestës së tyre mos ta bllokojnë rrugën, në mënyrë që mos të përsëritet situata e të premtes së kaluar./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›