Filloi asfaltimi i rrugës “Haki Povataj” në Deçan
Ka filluar zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës “Haki Povataj” në Deçan, rrugë kjo e cila shpie në drejtim të dy shkollave të mesme, e që deri më tani ishte vetëm njëdrejtimëshe. Për nisjen e punimeve kanë dhënë përkrahjen e tyre edhe qytetarët, të cilët nuk kanë kursyer as pjesë të pronave dhe objekteve të tyre.
Ekskavatorët e kompanisë “Lika Trade” e cila ka fituar tenderin për asfaltimin e rrugës, qysh me ditën e sotme ka shembur 7 objekte me leje të përkohshme, si dhe shtojca të objekteve tjera dhe rrethoja.
“Përveç rrugës “Sali Çeku”, kjo do të jetë rruga e dytë në Deçan, e cila do të ndërtohet sipas standardeve evropiane”, ka thënë kryetar i komunës, Rasim Selmanaj.
Ai ka theksuar se rrënimet e objekteve pa leje dhe me leje të përkohshme do të vazhdojnë edhe më tutje, pasi që synim është ndërtimi i një qyteze urbane sipas planifikimeve.
Ai ka falënderuar qytetarët si përkrahës të këtyre ndryshmeve, kurse në rastin konkret pronarët e objekteve të rrënuara dhe pronave tjera për zgjerimin e kësaj rruge.
Ndërkaq drejtori komunal për Urbanizëm, Ramë Melaj thotë se do të ndërtojmë një rrugë me standarde bashkëkohore, pasi që do të jenë edhe ndriçimi dhe trotuaret, si dhe hapësirat e gjelbra.
Sipas tij, në këtë kuadër do të ndërtohet edhe një kanal me ujëvarë, e cila gjithsesi do të shtojë bukurinë e qytezës që pretendon të jetë në funksion të zhvillimit të turizmit.
“Do të ndërtojmë rrugë me të gjitha standardet”, thotë drejtori Melaj.
Ndryshe projekti për asfaltimin e rrugës “Haki Povataj” ka një kosto prej 200 mijë eurosh dhe është financim i Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila edhe vitin e kaluar kishte dhënë po kaq para për ndërtimin e rrugës “Sali Çeku”. /kosovapress/