Pritet marrëveshja për refugjatë mes Kosovës e Malit të Zi
Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 21:45
Podgorica dhe Prishtina së shpejti do ta nënshkruajnë marrëveshjen për kthimin e refugjatëve nga Mali i Zi në Kosovë, i atyre që dëshirojnë dhe për zgjidhjen e statusit të atyre që do të mbeteshin në Mal të Zi, ka njoftuar qeveria në Podgoricë.
Lidhur me këtë çështje kanë biseduar zëvendës kryeministri i qeverisë së Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe zëvendës kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka paralajmëruar se së shpejti do të zgjidhet statusi i pakicës malazeze në Kosovë.
Më tutje në njoftim theksohet se Edita Tahiri e ka falënderuar Malin e Zi për mbështetje të “forcimit të shtetit të Kosovës”, që është e rëndësishme për stabilizimin e tërësishëm të rajonit.