E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çitaku interesohet për të riatdhesuarit në Mitrovicë

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 20:15

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se ri-integrimi i të riatdhesuarve është një prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave, andaj për këtë nevojitet një angazhim i të gjithëve për të mos ngecur puna.

Gjatë një takimi të mërkurën në Mitrovicë me kryetarin e kësaj komune Avni Kastrati, ministrja Çitaku ka thënë se deri me tani komunat nuk kanë aplikuar shumë për të përfituar nga fondi prej 3.5 milionë eurosh të ndarë nga qeveria për ri-integrimin e të riatdhesuarve.

“Ky fond duhet të shfrytëzohet prej komunave për të riatdhesuarit. Janë mjete të ndara për ushqim, strehim, barna por edhe nisjen e ndonjë biznesi të vogël nga të riatdhesuarit”, tha Çitaku.

Ndërsa, kryetari Kastrati tha se me gjithë rrethanat specifike Mitrovica në këtë aspekt qëndron mirë. Për këtë ai falënderoi qeverinë franceze për dhurimin e kampit “Belvedere” në Frashër, me çka është krijuar mundësi për pritjen dhe strehimin e të riatdhesuarve.

Kryetari Kastrati tha se në atë kamp që do të menaxhohet nga Komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), janë rreth 800 kontejnerë për strehim, mandej ekziston kuzhina etj.

“Në përgjithësi është një vend që do të na ndihmoj shumë për sistemimin e rasteve sociale që kanë probleme me strehim, mandej të riatdhesuarve dhe azilkërkuesve. Pjesa ku do të vendosen këto dy kategoritë e fundit do të menaxhohet nga MPB-ja”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Kastriot Jashari, tha se në Mitrovicë në vitin e kaluar janë riatdhesuar 40 familje, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti 116 familje.

“Prej këtyre 116 familjeve të riatdhesuara, për 19 prej tyre kemi të dhëna në detaje për numrin e anëtarëve të familjes, pronës së tyre, kushteve etj. Të tjerët i kemi kontaktuar dhe i kemi njoftuar për mundësitë që ju ofrohen dhe që duhet t’i shfrytëzojnë”, tha Jashari.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Fernando Gjentilini dhe ambasadori francez, Fitu kanë potencuar rëndësinë e ri-integrimit të të riatdhesuarve.

Ata kanë vënë në pah domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, por edhe faktorëve ndërkombëtarë që ndihmojnë në këtë drejtim. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›