E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka njohje nga Maroku

Mbretëria e Marokut nuk mund ta njohë Kosovën për shkak të problemeve me territorin e Saharës Perëndimore. Kjo i është bërë e ditur Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli nga autoritetet e kësaj mbretërie afrikane, gjatë qëndrimit të tij atje. Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 11:25

Autoritetet e Mbretërisë së Marokut e kanë paralajmëruar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli se Kosova nuk mund të shpresojë njëherë përnjëherë që ky vend do ta njohë pavarësinë e saj.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në ditën e nëntë të vizitës së tij në kontinentin afrikan, në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës, ka qëndruar të martën në Mbretërinë e Marokut, ku është takuar me të emëruarin e Mbretit të Marokut për Politikë të Jashtme në Qeveri, Muhamed Azerwal, me Kryesinë e Parlamentit të Marokut në krye me Nënkryetarin e Parlamentit, Dr. Sadudin El Uthmani dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Shefi i Kabinetit dhe Drejtori Politik për Europën Juglindore.

Autoritetet përfaqësuese të Mbretërisë së Marokut gjatë takimit me Pacollin kanë theksuar vështirësitë që ka vendi i tyre për të proceduar njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës, veçanërisht për shkak të kontekstit politik me Saharën Perëndimore që ka të bëjë me refuzimin e Marokut për ta pranuar shpalljen e pavarësisë së asaj pjese.
Pacolli gjatë këtyre takimeve ka informuar autoritetet e Marokut për situatën aktuale politike e ekonomike në Kosovë, me theks të veçantë për zhvillimet demokratike dhe sfidat që ka kaluar vendi gjatë procesit të shtetndërtimit.

Lidhur me mosgatishmërinë e Marokut për njohjen e Kosovës, Pacolli ka ofruar argumentet e nevojshme për të dëshmuar se rasti i Kosovës është krejt i veçantë dhe këtë, siç ka thënë ai, e dëshmon edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Duke qenë se kjo është vizita e parë zyrtare e përfaqësuesve të Kosovës, në Marok, Zëvendëskryeministri Pacolli ka shfrytëzuar këtë rast për të kërkuar që kontaktet ndërshtetërore në mes të përfaqësuesve të dy vendeve të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Pacolli ka theksuar se ai shumë shpejt do të kthehet prapë në Marok për të vazhduar lobimin për njohje sa ma të shpejtë të pavarësisë së Kosovës”, thuhet në një kumtesë për media të dërguar nga kabineti i Pacollit.

Nëpërmjet kësaj kumtese, po ashtu bëhet e ditur se një delegacion zyrtar nga Parlamenti dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Marokut do të vizitojnë shumë shpejt Kosovën, ku do të takohen edhe me përfaqësues të tjerë të lartë të Shtetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Pacolli javë më parë ka qëndruar në Afrikë në një turne lotues, ndërsa para kabinetit qeveritar në Prishtinë ka paralajmëruar se Kosova shumë shpejt do të njihet nga disa vende afrikane. Tani ai është në fund të përmbylljes së turnit të dytë lobues në Afrikë, ndërsa asnjë njohje e re nuk ka ardhur nga ai kontinent.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›