E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Adriatikut, mundësi për Kosovën

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 19:41

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në takimin e radhës ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter (A5)’.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, në mesin e të cilëve edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Anders Fogh Rasmussen dhe ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve të rajonit, Ministri Hoxhaj ka falënderuar NATO-në për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe garantimit të paqes në Ballkan.

“KFOR-i ka bërë një punë të mrekullueshme në sigurimin e paqes në Kosovë. Reduktimi i trupave të NATO-së në Kosovë tregon se gjendja e sigurisë është përmirësuar. Megjithatë, gjendja në veriun e Kosovës edhe më tutje mbetet e ndjeshme, prandaj reduktimi i trupave të NATO-së duhet të bëhet gjithmonë në përputhje me gjendjen në veri të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, në këtë forum ka kërkuar ndihmën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të shteteve të rajonit për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe.

“Synimi ynë mbetet anëtarësimi i plotë në NATO. Ne kemi krijuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila pritet të zërë vendin e vet në strukturat Euroatlantike. Mirëpo, Republika e Kosovës është i vetmi vend që është i përjashtuar nga Partneriteti për Paqe. Ne mendojmë se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm duhet të bëhet paralelisht me implementimin e Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë se siguria në Kosovë ka shënuar rritje, andaj Aleanca Veriatlantike ka vendosur të reduktojë trupat e KFOR-it.

“Kosova ka bërë shumë përparime në fushën e sigurisë dhe në reformimin e Policisë së Kosovës. Kosova ka perspektivë euroatlantike bashkë me shtete e rajonit”, ka thënë Rasmussen, duke shtuar se ky forum është mjet i mirë për të realizuar një synim të tillë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Republikës së Malit të Zi, Milan Roćen ka thënë se pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm tregon përkushtimin e shteteve të Rajonit për Kosovën.

“Ne do të ndihmojnë Republikën e Kosovës për t’u anëtarësuar në mekanizmat euroatlantik”, ka thënë Roćen.

Gjatë këtij takimi që është zhvilluar në Budve të Malit të Zi, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me Ministrat e shteteve anëtare të Kartës së Adriatikut, homologun nga Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, njofton MPJ, nepermes nje komunikate shtypi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›