Kuçi: Memorandumet, pjesë e strategjisë nacionale

“Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë më nënshkrimin e memorandumeve ndërmjet ministrive të caktuara. Edhe memorandumi i nënshkruar me 23 dhjetor të vitit të kaluar ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ka pasur pëlqimin e kryeministrit dhe do të rishqyrtohet në bazë të ligjeve në fuqi”.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke paralajmëruar ministrat të mos nënshkruajnë më memorandume ndërmjet ministrive. Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës është një, dhe do të funksionojë si e tillë.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se çështja e memorandumeve është pjesë e strategjisë nacionale për siguri dhe ligje, duke tërhequr vërejtjen për më tepër kujdes nga të gjithë ministrat. “Më shumë bëjnë zhurmë sesa ndryshojnë gjendjen dhe kështu duhet të jemi të kujdesshëm prej meje dhe të tjerët”, ka thënë Kuçi.
Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Informim të FSK-së Ibrahim Shala, është shprehur se memorandumi i nënshkruar në mes të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ka për qëllim t`i ofrojë mbështetje Ministrisë së Punëve të Brendshme duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për menaxhimin e emergjencave në operacione emergjente, siç janë fatkeqësitë natyrore.