E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Politika serbe ndaj Kosovës nuk do të ketë sukses

Kuçi thotë se Prishtina do të vazhdojë me axhendën e saj dhe se shpreson që shumë vende do ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës dhe ndaj rezolutës 1244 të OKB-së.

“Mbledhja e mbrëmshme e KS të OKB-së ka bërë një vlerësim të realitetit të krijuar në Kosovë. Natyrisht që mbledhja ka shkuar nën hijen e asaj që do ta quaja mendimi i GJND-së për Kosovën, dhe në këtë drejtim edhe ata të cilët i kanë forcuar pozicionet e tyre në favor të Kosovës, por njëkohësisht ka pasur edhe të tjerë që kanë provuar ta relativizojnë opinionin e GJND-së. është temë e pashmangshme opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që drejtpërdrejt ose tërthorazi, ka dhe do të ketë ndikim edhe në qasjen e KS të OKB-së për Kosovën”, është shprehur ai.

Më tej, ai ka deklaruar se qasjet politike për relativizimin e opinionit të GJND-së nuk mund ta kenë efektin e vet, për të shtuart se problemet juridike nuk mund të pengohen me veprime politike e aq më pak në instancat ndërkombëtare dhe nga shtetet që pretendojnë të jenë demokratike.

“Por, unë jam shumë i bindur se do të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ne juristët e themi se para argumentave bindet edhe Zoti dhe në këtë drejtim jam i bindur që secili do të bindet para mendimit pozitiv të GJND-së”, ka vijuar ai. Ndërsa, në bisedime teknike, sipas Kuçit, Kosova hyn vetëm si palë e barabartë.

“Për bisedimet mendoj se janë dy kategorizime në bashkësinë ndërkombëtare: Ata që mendojnë se duhet të bisedohet për nivelet e bashkëpunimit rajonal në nivel të barabartë ndërshtetëror dhe të tjerët që mendojnë aty këtu për statusin e Kosovës”, u shpreh Kuçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›