Kuçi: Prishtina merr ftesën zyrtare për takimin e Sarajevës
në takim dhe do të ketë të drejtën e saj të barabartë për të shprehur mendimin për zhvillimet rajonale dhe integrimet evropiane. Kuçi tha se në takimet rajonale por edhe në atë të Sarajevës, askush tjetër, përveç përfaqësuesit të institucioneve të vendit nuk mund të përfaqësojë Kosovën. Tanimë qeveria e Kosovës, respektivisht ministri i punëve të jashtme ka ftesë formale për pjesëmarrje në konferencën e Sarajevës. Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në atë konferencë, të japë kontributin e saj për temat që janë me rëndësi për bashkëpunimet rajonale por edhe ato në nivelin e integrimeve evropiane. Natyrisht, aty do të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe meqë që do ta ruaj dinjitetin edhe të përfaqësuesit por edhe të identitetit shtetëror, u shpreh ai. Ndër të tjera, Kuçi theksoi se Kosova në këtë konferencë do të ketë përfaqësuesin e vetë dhe do të jetë si i tillë dhe si i vetëm. Ndërkohë, zyrtarë të misionit të OKB në Kosovë, thonë se presin që shefi i UNMIK Lamberto Zannier, të marrë ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës. Zëdhënës i UNMIK, Russell Geekie, tha se pjesëmarrja e Zannier në takimin e Sarajevës është diskutuar me organizatorët nga BE dhe se pret që ai të marrë pjesë atje. Por siç e ka thënë Zannier, shumë herë ne nuk flasim në emër të institucioneve të Prishtinës. Ata i kanë udhëheqësit që flasin për vete. Qëndrimi ynë është i ngjashëm me shumë pjesëmarrës të tjerë që do të thotë se do të donim të shihnim një pjesëmarrje të plotë në këtë takim, posaçërisht të Prishtinës dhe Beogradit. Nëse prania jonë mund të ndihmojë që të lehtësojë këtë ne jemi më se të kënaqur që të ndihmojmë, u shpreh Geekie. Por, ndërkohë, autoritetet në Beograd kanë përsëritur qëndrimin se për Serbinë është e papranueshme që Kosova të paraqitet në Sarajevë si një shtet i pavarur. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka thënë se qeveria në Beograd e ka bërë të njohur qëndrimin e saj se Prishtina mund të prezantohet në takim vetëm në kuadër të Rezolutës 1244 dhe me praninë e misionit të OKB në Kosovë. Takimi në Sarajevë, që pritet të zhvillohet në fillim të muajit qershor, organizohet nga kryesuesja e radhës e BE-së, Spanja, me qëllim të diskutimit të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit. Mësohet ndërkaq se takimi në Sarajevë do të zhvillohet pa simbole shtetërore por vetëm me paraqitjen e emrave të pjesëmarrësve, megjithëse thuhet se një prej të ftuarve në kryeqytetin e Bosnjës do të jetë edhe përfaqësuesi i UNMIK, Lamberto Zannier.