Hoxhaj merr pjesë në konferencën "Miqtë e popullit sirian" në Paris

Gjatë qëndrimit dy ditor në Francë, ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në konferencën “Miqtë e popullit sirian”.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë mbi 100 delegacione të shteteve të botës, në mesin e të cilëve do të jetë edhe Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga ministri Hoxhaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi i “pranverës arabe” ka mbështetur tranzicionin demokratik dhe largimin e regjimeve autoritare si dhe aspiratat e popujve për dinjitet njerëzor, të drejta të njeriut dhe për demokraci në të gjitha vendet: Tunizi, Egjipt, Libi dhe Siri.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, menjëherë pas tranzicionit demokratik ka vizituar Egjiptin si dhe në Prishtinë ka pranuar përfaqësues të opozitës së Sirisë, duke ofruar mbështetje publike për kauzën e tyre, njofton MPJ.
Konferenca “Miqtë e popullit sirian”, do të zgjasë dy ditë, ndërsa ministri Hoxhaj gjatë qëndrimit në Paris, do të takojë shumë liderë botërorë.