Kuçovë, asnjë masë për ndërtimet pa leje pranë puseve të naftës
Ndërtimet pa leje afër puseve të naftës në rrethin e Kuçovës kanë mbetur një problem i pazgjidhur nga instancat shtetërore. Punonjës të uzinës mekanike të naftës shpesh herë bien në konflikte me pronarët e ndërtimeve, kryesisht shtëpi, pasi iu duhet te kontrollojnë dhe pastrojnë puset e naftës, të cilët ndodhen brenda territoreve të banuara.
Sipas ligjit, këto puse duhet të ishin rreth 60 m larg banesave ndërsa aktualisht nuk janë jo më larg se dhe 10 apo 15 metra. Gjendja më e vështirë paraqitet në zonat informale në qytetin e Kuçovës ku ka ndërtime ka kriter afër puseve të naftës, të cilat shumë herë kanë rrezikuar dhe jetë fëmijësh që luajnë afër këtyre objekteve. Prej vitesh për zgjidhjen e këtij problemi nuk është ndërmarrë asnjë hap nga qeveria apo pushteti lokal. Specialistë të kësaj fushe pohojnë se masat për ndalim të këtyre ndërtimeve numri i të cilëve shkon rreth 1700 objekte, duhet të ishte marrë në fazën fillestare të ndërtimit të tyre. Tashmë problemi është shumë i mprehtë dhe banorët presin legalizim dhe jo prishje të shtëpive apo bizneseve që kanë punuar për shumë vite për ti siguruar. Në lidhje me ketë problem banorë të qytetit të Kuçovës nuk pranuan të prononcohen për mikrofonin tonë, ndërsa shumë prej tyre pohuan se përgjegjëse për këto ndërtime mbajnë dhe qytetarët, por më shumë shteti i cili duhet të ndalonte ndërtimin e tyre dhe mos të jap leje të padrejta për objekte që ndodhen afër puseve të naftës.