Bizneset fasone në krizë, Qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre
Kriza ekonomike ka vënë në presion bizneset fasonë që prodhojnë me material porositësi. Si pasojë e kësaj situate, numri i punëtoreve ka ardhur duke u shkurtuar për shkak të mungesës së porosive. Prodhuesit e veshjeve i kanë kërkuar qeverisë, që në këtë kuadër të përdorin fondet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional si fonde të garantimit të pagimit të detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore, të paktën për një periudhë 6-mujore.
Sipas tyre, kjo do të ndihmonte bizneset në kapërcimin e vështirësive të momentit, deri në një periudhë kur biznesit të fasonëve ti rikthehej likuiditeti i munguar nga pasojat e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania etj, kompanitë e të cilave kanë krijuar probleme të mungesës së likuiditetit për kompanitë shqiptare për këtë periudhë krize. Në lidhje me këtë problem, biznesmeni i fasonëve në qytetin e Kuçovës Pëllumb Zyla, i cili ka 10 vjet që ushtron këtë aktivitet privat në bashkëpunim me firma italiane ndihet i kërcënuar nga kriza, ndërsa shprehet se nga qeveria nuk ka asnjë ndihmë konkrete për këto lloj biznesesh, që kanë numrin më të madh të punëtorëve në vend. Biznesmeni Zyla pohon se kriza ka filluar që nga viti i kaluar, por edhe pse ka menduar mbylljen e aktivitetit, investimi kolosal nuk e ka lejuar të ndërmarrë një hap të tillë. Në lidhje me problemet dhe vështirësitë që has aktiviteti i tij privat ku janë të punësuar rreth 40 punëtorë, biznesmeni Pëllumb Zyla ka pohuar se aktualisht ka investuar 130 milion euro për aktivitetin e tij dhe nuk mund të rrezikojë deri në falimentim. Ndërkohë ka dhe biznese të të njëjtit lloj, të cilët kanë hasur vështirësi nga kriza ekonomike, të cilët kanë shkurtuar numrin e punëtorëve.