Kuçovë, blenë karburant me para false, policia në kërkim të 2 personave
Roja i karburantit mashtrohet nga 2 persona, të cilët ia kanë paguar sasinë e karburantit që kanë kërkuar për mjetin e tyre, me para të falsifikuara. Agjentët e policisë të seksionit kundër krimit financiar janë vënë në kërkim të dy shtetasve, të cilët vetëm dy ditë më parë kanë përdorur para false pranë një pike karburanti. Burime zyrtare të policisë së Beratit bënë të ditur se dy shtetasit në kërkim, janë furnizuar me karburant duke përdorur 4500 lekë të rinj, të gjitha false.
Sipas të njëjtave burime, pasi kanë paguar me paratë false, të gjitha prerje 500 lekëshe, autorët janë larguar në mesnatë pa lënë asnjë gjurmë. Ka qenë punonjësi i karburantit shtetasi Edmond Pire, ai që ka denoncuar në komisariatin e Kuçovës, se pas mesnatës së enjte, rreth orës 01:30, dy shtetas, identitetin e të cilëve ai nuk e mbante mend, kanë blerë një sasi karburanti me para false dhe më pas janë larguar. Sipas kallëzimit të bërë në komisariatin e policisë, në momentet e para punëtori nuk u ka vënë rëndësi lekëve veç numërimit, por mënyra e largimit të menjëhershëm të të dy shtetasve, aq sa punëtori nuk ka mundur tu marrë dot as targën e makinës, ka lënë vend për dyshime tek punëtori. Në moment, punëtori ka parë në dritën e llambës lekët ka kuptuar se dy shtetasit ia kishin hedhur duke i lënë në dorë lekët e falsifikuara. Më pas, i indinjuar nga veprimi i dy të panjohurve njëkohësisht edhe vjedhës me anë të mashtrimit, punëtori ka lajmëruar pronarin ndërsa ka bërë menjëherë kallëzimin penal në komisariat. Më pas, agjentët e policisë të seksionit kundër krimit financiar kanë marrë kallëzimin dhe së bashku me oficerët e policisë gjyqësore kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij mashtrimi. Oficerët e policisë gjyqësore kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë hetimet për veprën penale të falsifikimit të monedhave, parashikuar nga neni 183 / 1 i Kodit Penal. Dosja përkatëse është dorëzuar nga oficerët e policisë gjyqësore në organin e prokurorisë së rrethit që kjo e fundit të vazhdojë hetimet për zbardhje totale të kësaj ngjarjeje. Gjatë 24 orëve të fundit, agjentët e policisë kundër krimit financiar janë vënë në rrugë operative në kërkim të autorëve të kësaj vjedhjeje me anë të mashtrimit.