Zgjerohet shtëpia e foshnjës në Durrës
Dy qendra të trajtimit dhe të kujdesit të fëmijëve jetimë, të braktisur apo të familjeve në nevojë ekonomike trajtohen në kushte shumë cilësore në shtëpinë e fëmijës në Durrës. Në Shkozet banojnë 25 fëmijë rezidencialë dhe kjo kategori fëmijësh frekuenton qendrën nga ora 08:00-16:00 të çdo dite nga e hëna në të premte, sepse prindërit e tyre nuk kanë mundësi për ti mbajtur ekonomikisht.
Përgjithësisht, prindërit janë të papunë apo të zënë në punë sezonale. Aty argëtohen dhe ushqehen falas. Përveç tyre ka edhe rreth 20 fëmijë jetimë në dy vilat që janë në shkozet dhe Durrës dhe që u siguruan nga shoqata angleze. Këta fëmijë, janë jetimë biologjikë, që nuk dihen prindërit e tyre si dhe jetimë socialë. Fëmijët që nuk kanë interesimin e prindërve biologjikë, janë të parët që futen në procedurat e birësimeve. Ata shpallen të braktisur me vendim gjykate dhe fillojnë procedurat për birësimin e tyre. Gjatë vitit 2008 janë birësuar 5 fëmijë, 4 nga prindër shqiptarë, 1 nga prindër të huaj. Këta janë birësuar shumë shpejt, në moshën 0-1 vjeç. Në katër muajt e parë të vitit 2009 janë birësuar 3 fëmijë, 2 nga prindër shqiptarë, 1 nga të huaj. Personeli i këtyre shtëpive tregon kujdes të veçantë në trajtimin e gjithanshëm. Shtëpia e fëmijës në Shkozet dhe në Durrës janë cilësuar si vatra të kualifikuara edukimi dhe përkujdesi për këtë moshë. Jo pak ndikim dhe ndihmë ka afruar bashkia, qarku dhe prefektura në bashkërendimin e projekteve që synojnë rehabilitimin dhe trajtimin human të fëmijëve të kësaj kategorie.