Përvetësoi 4200 euro, nën hetim mashtruesi italian
Prokuroria e Beratit ka nisur ditën e djeshme procedimi penal në ngarkim të shtetasit italian, Vito Ludovico. Ky i fundit rezulton me banin të përkohshëm në lagjen Tafil Skëndo, të qytetetit të Kuçovës. Burime nga Prokuroria e Beratit bënë të ditur se për 48 vjeçarin ka pasur një kallëzim penal nga shtetasi Piro Buli, banues në Divjakë të rrethit të Lushnjës.
Paraditen së martës, oficerët e policisë gjyqësore kanë administruar në detaj të gjitha provat në bazë të kallëzimit dhe marrjes në pyetje të kallëzuesit si dhe bazuar në faktet konkrete kanë përpiluar dosjen dhe akuzën përkatëse për shtetasin italian, nga qyteti i Torinos. Sipas këtyre burimeve, shtetasi italian Vito Ludovic, ka përvetësuar shumën prej 4200 euro nga shtetasi shqiptar Piro Buli, duke e mashtruar këtë të fundit për ortakëri në biznes. Sipas kallëzimit të bërë nga ky i fundit, sapo shtetasi italian ka marrë shumën në fjalë, është larguar pa lënë gjurmë. Buli ka pritur disa muaj dhe kur italiani nuk është bërë i gjallë, ka lajmruar policinë dhe më pas ka bërë kallëzim ndaj tij për arsye të mashtrimit. Pas kallëzimit, policia është vënë në ndjekje të italianit, por nuk ka mundur ta gjejë. Pas mungesës, oficerët e policisë gjyqësore kanë filluar procedimin penal në ngarkim të italianit për veprën penale të mashtrimit, e parashikuar nga neni 143 / 2 i Kodit Penal. Oficerët e policisë gjyqësore kanë nisur tashmë dosjen në organin e prokurorisë të rrethit të Beratit, që kjo e fundit të vazhdojë hetimet e mëtejshme për zbardhjen e mashtrimit që shtetasi italian i ka bërë shtetasit shqiptar. Policia e antikrimit ekonomik ka shpallur person në kërkim shtetasin italian, ndërsa pas dorëzimit të dosjes përkatëse, prokurori i rrethit Xhemal Saliaj ka lëshuar urdhër arrestin për shtetasin italjan Vito Ludovic. Me këtë të fundit, shkon në dy numri i shtetasve të huaj që merren nën hetim për mashtrim të shtetasve shqiptarë në qarkun e Beratit