E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, ishte dënuar me 3 vite burg, prangoset mashtruesja

Vihet në pranga një mashtruese, dy vjet pas shpalljes fajtore nga ana e gjyqësorit. Minushe Hadëri, 53 vjeçe nga fshati Kalivaç i Tepelenës, është ndaluar në orët e mbrëmjes së të enjtes nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ndalimi i Hadërit është kryer pasi ajo ishte shpallur në kërkim nga ana e Policisë së Gjirokastrës. Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar atë në mungesë me tre vjet burg. Vepra penale që rëndon mbi gruan ishte ajo e mashtrimit. Mësohet se 53 vjeçarja në bashkëpunim me një shtetas tjetër i cili është i shpallur në kërkim ku emri i tij nuk bëhet publik nga policia e Gjirokastrës, ka mashtruar disa shtetas nga Qarku i Gjirokastrës, duke u premtuar se do tu nxirrte viza Shengen në Konsullatën Greke në Gjirokastër, kundrejt një shume të konsiderueshme lekësh. Po të njëjtin aktivitet mësohet se gruaja e ka ushtruar edhe në kryeqytet dhe për këtë arsye Gjykata e Tiranës në bazë të kallëzimeve të bëra nga personat e mashtruar nga kjo shtetase, ka vendosur masën e sigurisë Arrest në burg, në mungesë. Kapja e kësaj shtetaseje u realizua në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e Policisë së Gjirokastrës në qytetin e Vlorës ku ajo fshihej nga drejtësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›