E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçovë, dhunohen në detyrë 4 zyrtarë të komunës

KUÇOVE- Dhunohen gjatë ushtrimit të detyrës me leva e sende të tjera të forta katër punonjës të administratës së komunës Perondi në Kuçovë. Sipas Policisë, dy pronarë të një firme që prodhonte tulla, shtetasit Leonard Çaushi, 28 vjeç dhe Agron Çaushi, 43 vjeç, nga qyteti i Kuçovës kanë rrahur punonjësit e komunës, të cilët kishin shkuar të verifikonin dokumentacionin e biznesit që ndodhej në juridiksion të tyre. Nënkryetari i komunës Perondi, Edmond Matarangasi, drejtori i Tatimeve të komunës, Melvan Domi, shefi i Financës, Fatjon Plaku dhe E. Plaku, inspektor tatimor pranë kësaj komune janë bërë pre e dhunës së dy kushërinjve Çaushi, bëri të ditur Policia. Mësohet se pas ngjarjes, të katër punonjësit e plagosur përfunduan në spital. Plagë më të rënda kishte pësuar shefi i Financës së komunës, Fajton Plaku. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe arrestoi autorët, ndërsa nisi hetimet. Paraprakisht, dyshohet se dy pronarët e firmës së ndërtimit nuk kanë dashur të tregojnë dokumentacionin dhe licencën për biznesin e tyre. Ky është bërë shkak për dhunën. Lajmin e konfirmoi dje edhe kreu i komunës Perondi, Rexhep Hadëri. Sipas tij, komuna kishte ngritur një grup kontrolli, i kryesuar nga nënkryetari Edmond Matarangasi, i cili po kalonte në sitë të gjitha bizneset që janë në juridiksionin e komunës. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›