Kucove, kthehet në shtëpi 18-vjeçarja: Nuk më rrëmbyen
Ka përfunduar aventura e 18-vjeçares Ilia Nuhu nga qyteti i Kuçovës, e cila mendohej se ishte rrëmbyer. Vajza mësohet të ketë mbërritur pasditen e së dielës në banesën e saj në qytetin e Kuçovës, pesë ditë pasi ishte larguar. Vajza ka pohuar qetësisht se nuk ishte rrëmbyer prej askujt, por kishte shkuar te një shoqja e saj në Tiranë, por nuk kishte dashur t‘i njoftonte prindërit, pasi ishte e bindur se ata nuk do ta lejonin. Ilia u largua nga banesa mesditën e së mërkurës, ndërkohë që pasditen e po asaj dite, babai i saj, Xheviti, së bashku me disa të afërm morën peng ish të dashurin e saj, Arensin, dhe babanë e tij, Kristaq Jorgjin, të bindur se largimi i vajzës ishte organizuar prej tyre. Pasi u mbajtën peng për rreth gjashtë orë, at e bir u liruan nga forcat policore, ndërsa pengmarrësit u arrestuan. Ndërsa vajza ka mbërritur pasditen e së dielës në banesë, i babai i saj dhe të afërmit do të përgjigjen para ligjit për pengmarrje. Mësohet se çështja ka kaluar në Gjykatën e Rrethit të Beratit, ku është zhvilluar dje seanca e parë dëgjimore. Të akuzuarit Xhevit, Florian e Dorian Nuhu, si dhe Anteo Milo, janë shprehur gjatë seancës se qëllimi i tyre nuk ishte marrja peng, por sigurimi i informacionit se ku ndodhej 18-vjeçarja Ilia Nuhu. Kryetari i trupit gjykues, Shyqyri Çobo, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Tasim Puci, vendosi masën e sigurisë me "burg pa afat" për të arrestuarit.