E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre afganë nisen për në Gjermani, përfundojnë në pranga shqiptare

Aventura e tre shtetasve nga Afganistani ka marrë fund në Shqipëri, pavarësisht se ata nuk mendonin se mund të kalonin nga ky vend. Ishin nisur për në Gjermani, duke u fshehur në një kamion, ku kishin marrë edhe ushqime me vete, por gjatë kontrollit rutinë, janë zbuluar duke përfunduar në qeli. Burimet policore bënë të ditur se kapja e tyre është mundësuar nga uniformat blu të kryeqytetit, pavarësisht se ata kishin kaluar pikën kufitare pa iu shkaktuar asnjë problem. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, specialistët e seksionit të luftës së trafiqeve, pas një kontrolli të imtë të kryer në parkingun e doganës së Tiranës, në një automjet me targa turke, me drejtues shtetasin turk, Mustafa Cengiz, 46 vjeç, janë konstatuar edhe tre shtetas afganë. Ata kishin me vete vetëm disa dokumente në gjuhën greke, me të cilat janë identifikuar para policisë shqiptare. "Nga ky kontroll i kamionit me targa turke u gjetën shtetasit A. S, 14 vjeç, Nekmama Morian Magoul, 18 vjeç dhe Javet Mirhatam Tarahel, 18 vjeç, të gjithë me shtetësi dhe kombësi afgane", deklaroi grupi hetimor nga Policia e Tiranës. Sipas të dhënave po nga uniformat blu, për këta persona janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, nga ku rezultoi se shtetasit e mësipërm me datë 12 prill 2008, rreth orës 24.00‘, kanë hyrë fshehurazi pa dijeninë e drejtuesit të mjetit, në kamion në një parking në Selanik të Greqisë në kohën kur drejtuesi i mjetit po pushonte. Pas kryerjes së verifikimeve të tjera dhe pas marrjes së një sërë deklarimesh rezultoi se kamioni ishte ngarkuar me lubrifikante për llogari të firmës "Topoil", me qendër në Tiranë. Pas sqarimit të rrethanave, personat e lartpërmendur i kanë kaluar në kompetencë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë. Ndërkohë, ata kanë deklaruar se ishin nisur për të emigruar në Gjermani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›