E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen maskat në rrugët e Vlorës

Rikthehet frika e maskave në rrugët e Vlorës. Dy grabitës të armatosur me kallashnikovë dhe të maskuar i kanë dalë përpara drejtuesit të një automjeti, duke e detyruar të ndalojë nën kërcënimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 05:00 të mëngjesit në afërsi të fshatit Panaja, në rrugën nacionale Fier-Vlorë. Grabitësit i kanë kërkuar shoferit të hapë bagazhin dhe të zbrazë xhepat. Pa bërë rezistencë, shtetasi Vladimir Kasëmi, pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë Navale në universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës, u është bindur grabitësve. Ai u ka dhënë atyre të gjitha paratë që kishte me vete, 6200 lekë të reja dhe më pas ata kanë marrë nga bagazhi i automjetit dy aparatura që shërbenin për analiza laboratorike në sektorin e bujqësisë. Pasi kanë marrë aparaturat nga automjeti tip "Lançia" me targa VL3017A dhe paratë nga xhepat e 48-vjeçarit Kasëmi, dy grabitësit e kanë "këshilluar" atë të mos lajmëronte policinë dhe më tej janë larguar mes ullishtave të zonës.

Kur grabitësit me maska janë larguar, 48-vjeçari nga Vlora është kthyer nga rruga dhe ka shkuar në Komisariatin e Vlorës, ku ka bërë edhe denoncimin për ngjarjen. Më pas ai është shoqëruar nga grupi hetimor në vendngjarje për të ndihmuar inspektorët për të rindërtuar skenën e vjedhjes. Sipas deklarimit të pedagogut Kasëmi, aparaturat kanë qenë të punës, pasi ai përveç punës së pedagogut, ishte edhe punonjës në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit në rrethin e Vlorës. Aparaturat në fjalë kanë një vlerë të konsiderueshme dhe shërbenin për analiza laboratorike të produkteve bujqësore. Pasi është marrë deklarimi i të dëmtuarit, policia ka nisur të veprojë duke shoqëruar katër persona të dyshuar për këtë grabitje. Ata mësohet se janë persona me precedentë penalë dhe banues në Panaja, ku ndodhi edhe grabitja. Të katër të shoqëruarit janë lënë të lirë, pasi janë marrë në pyetje, ndërsa policia ende po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

Një tjetër vjedhje me dhunë ka ndodhur të dielën në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40 të së dielës në ambientet e doganës së këtij rrethi, pranë Urës së Zaranikës. Sipas burimeve të policisë, 29-vjeçari Astrit Limani, lindur në fshatin Ostren të Dibrës dhe banues në qytetin e Përrenjasit ka vjedhur me dhunë në një automjet 600 mijë lekë. Limani ka shfrytëzuar kohën kur drejtuesi i kamionit tip "Man" me targa DV0093A priste zhdoganimin, duke dremitur mbi timon. Pasi ka këqyrur me kujdes drejtuesin të mjetit, që është 49-vjeçari me inicialet B.Zh. Limani është sulur në kabinën e makinës dhe pasi ka shtyrë me forcë shoferin ka hapur kroskotin, duke nxjerrë prej andej një kuletë me kartëmonedha. Por hajduti, i cili ka plagosur lehtë shoferin e kamionit, nuk ka arritur të ikë shumë larg me paratë e vjedhura. Forcat e policisë të Komisariatit të Elbasanit, të lajmëruara nga rojat private të doganës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e hajdutit 29-vjeçar. Ai ndodhet tashmë në dhomat e paraburgimit nën akuzën e "vjedhjes me dhunë". Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›