E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici i shërbimit rreh 18-vjeçarin,të burgosurit e 313-ës në protestë

Protestat e të burgosurve janë rikthyer në Burgun 313 në kryeqytet dhe kësaj radhe shkak duket se është bërë keqtrajtimi i një të burgosuri. Dje, rreth mesditës, njëri prej të paraburgosurve në këtë institucion, Emiljano Kiptiu ka qenë duke pastruar ambientet e brendshme të burgut. Ndërsa kryente punën e tij, të burgosur të tjerë i kanë dhënë disa cigare si shpërblim për pastrimin e dhomave të tyre. Pasi ka mbaruar punë, ai është nisur të kalojë në seksionin tjetër, por këtu është ndalur nga polici i shërbimit, që në gjuhën e të burgosurve quhen ndryshe "polic kolone". Ai i ka kërkuar 18-vjeçarit që t‘i dorëzonte cigaret që kishte mbledhur nga të burgosurit e tjerë, por djaloshi nuk ka pranuar. Atëherë, punonjësi i policisë ka filluar ta qëllojë duke tentuar që t‘ia marrë cigaret. Kjo gjë ka irrituar të burgosurit, të cilët kanë filluar të bërtasin nga qelitë e tyre dhe të kërkojnë që polici të ndërpriste keqtrajtimin e Kiptiut.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur dyert e qelive kanë qenë të hapura për ajrosje. Të burgosurit thanë për "Shqip", nëpërmjet telefonit se pas protestës së tyre, tre punonjës të shërbimit kanë shkuar dhe kanë mbyllur dyert qelive dhe më pas e kanë futur në një kthinë të korridorit 18-vjeçarin duke vazhduar ta rrahin. Të burgosurit e tjerë kanë vazhduar të bërtasin dhe t‘u bien fort dyerve duke shkaktuar një protestë më të gjerë që ka vazhduar për rreth 20 minuta. Gjendja është qetësuar vetëm me ardhjen e shefit të regjimit të brendshëm, i cili ka larguar nga shërbimi policin që akuzohej për dhunë nga të burgosurit dhe i ka qetësuar ata duke u thënë se çdo gjë do të verifikohej dhe se nuk do të kishte përsëritje të rasteve të dhunës ndaj të burgosurve. Pas këtij komunikimi, të burgosurit e kanë ndërprerë protestën e tyre, por kanë kërkuar ndëshkimin e policit që rrahu 18-vjeçarin Kiptiu.

Rreth dy javë më parë, të burgosurit që ndodhen në Burgun 313 në kryeqytet zhvilluan një protestë disaditore, duke kërkuar kushte, ushqim dhe trajtim më të mirë nga ana e personelit të shërbimit. Ata madje nisën edhe një grevë urie, e cila zgjati vetëm 48 orë. Pas një takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, të burgosurit i lanë këtij të fundit 10 ditë kohë për të zgjidhur problemet e tyre


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›