E Diel, 1 Nëntor 2026

Manhatani, ishulli i pasanikëve nën kosto

Në Rrugën 58 në Nju Jork, pikërisht pas hotel "Plazas", një prej pjesëve më të lakmuara të Manhatanit, punimet kanë ndalur. Vërdallë nuk sheh më punëtorë, por vetëm një tabelë të shoqërisë "Extell", ku numrat e urgjencës dallohen qartë. Në këtë zonë ndërtimet e grataçielave të kohëve moderne dhe banesave luksoze vlejnë miliona dollarë, por për momentin bëhet fjalë vetëm për shifra të mbetura në letër, sepse tërmeti financiar po e ndryshon fytyrën e ishullit ku ndodhen njerëzit më të pasur se në çdo cep tjetër të planetit.

Madison-i "bosh"

Simptomat e krizës shihen gjithandej, mjafton të bësh pak hapa dhe të mbërrish deri në "Madison Avenue", në rrugën ku ndodhen butikët më të shtrenjtë e luksozë. Nëpër lokale dhe dyqane nuk sheh asnjë, veç tabelave që tregojnë për oferta dhe ulje të vazhdueshme. Një shenjë kjo që tregon se edhe super të pasurit tanimë po bëjnë më pak pazare. Në krahun e kundërt të "Central park" në "Upper West Side" mund të shohësh gojëhapur ekspertët imobiliarë, që u sugjerojnë klientëve të presin deri në shkurt për të blerë, kur çmimet e shtëpive do të shkojnë në pikiatë, për shkak të faktit se shumë menaxherë të Wall Street-it nuk do të mund të mbështeten në bonuset milionere që merrnin deri tani. Çmimet e blerjeve janë në rënie dhe si pasojë është rritur kërkesa për qira edhe në zona të tjera më të mëdha e më të pasura të Nju Jorkut.

Banja e përbashkët

Diku në jug të Rrugës 58, në zonën e "Chelsea"-s, ata që po bëjnë biznese fitimprurëse janë hotelet që ofrojnë "dhoma me banja të përbashkëta". Çmimi që llogaritet tek 150 dollarë në ditë, është shumë konkurrues nga këto anë, ndërsa numri i klientëve në rritje shpjegohet sipas asaj që analizon "New York Times", me momentin e "qytetit të lirë", ku shumë kërkojnë mënyra për të jetuar me 250 dollarë në ditë përfshi këtu edhe qiranë, të udhëtojnë me metro dhe të hanë sa më pak të jetë e mundur nëpër restorante. Ata që kërkojnë dhoma me çmime të ulëta në zonat e hoteleve me pesë yje nuk javë turistët që vizitojnë Nju Jorkun, por ish-punonjësit e shoqërive financiare, si "Lehman Brothers" dhe "Merrill Lynch", që kanë mbyllur dyert dhe janë blerë nga padronë të rinj. Me uljen e çmimeve, pronarët e rinj i kanë detyruar ish-vartësit të gjejnë zgjidhje të reja, më ekonomike. Akoma askush nuk e ka vlerësuar numrin e rinj të të papunëve, por qarkullojnë zëra se në shumë lagje të qytetit veprojnë njësi të specializuara policie të quajtur "Suicide Hunters", ose ndryshe agjentë, detyra e të cilëve është që të eliminojnë rrezikun e një epidemie vetëvrasjesh. Të vërteta ose jo, si në rastin e Samuel Israel III, menaxher i një "hedge fund" që stimuloi me makinën e tij hedhjen nga një urë mbi lumin Hudson në përpjekjen për të lënë pas një mal me borxhe. Eh, nëse vetëvrasjet janë një skenar jo i vërtetë, ato që dihet me saktësi se po shpeshtohen shumë janë rrëmbimet.

Më shumë rrëmbime

Shifra gjithmonë e më të larta nga "East River" në Brooklyn, në lagjet e Williamsburg dhe Greenpoint, ndërsa shkëmbimet e zjarrit janë rritur ndjeshëm në orët e mbrëmjes në Harlem, i cili muaj më parë mendohej se po përjetonte një "bum" imobiliar, tani gjithçka është drejt perëndimit. Kriminaliteti gjithmonë në rritje është edhe pasojë e mbylljes së shumë kantiereve të ndërtimit ku punonin punëtorë në vështirësi për të paguar ushqimet dhe qiranë. Mes projekteve të mbetura përgjysmë ishte ai i një prej dy kullave të "Ground Zero", që konstruktori Larry Silverstein mendonte t‘i merrte hua një banke, e cila nuk ekziston më dhe disa pallate për zyra që ishin projektuar për "Atlantic Yard" në Brooklyn.

Kudo krizë

Mes bizneseve që po e ndiejnë krizën financiare që ka prekur vendin është edhe ai i zanatit më të vjetër të botës. Agjenci të këtij lloji, të vendosura në veri të Wall Street-it për të lehtësuar vizitat e menaxherëve janë gjendur përballë nevojës për të ulur çmimet, sepse vetëm pak njerëz janë në gjendje të paguajnë rreth 1000 dollarë për një orë seks, ashtu siç bënte dikur ish-guvernatori i Nju Jorkut, Eliot Spitzer. Çmimet janë ulur ndjeshëm: për 30 minuta mund të paguash 160 dollarë, për shërbimet që ofrojnë mbi të gjitha vajzat ruse, të cilat marrin me qira dhoma që nuk janë në gjendje t‘i paguajnë. Po ashtu, edhe konkurrenca është rritur ndjeshëm. Kolege të reja i kanë hyrë kësaj pune, mes të cilave edhe 40-vjeçarja Shana, e cila ka treguar për "Dailynews" që zgjodhi të shesë trupin, duke mos ditur se ç‘të bënte tjetër, pasi u pushua nga puna në korrik nga një agjenci udhëtimesh, ku i garantonte një rrogë vjetore 45 mijë dollarë.

Oferta dhe ulje

"Askush nga ne nuk e priste që një situatë e tillë të zgjidhej brenda pak ditësh, por nëse shtëpiaket vendosin të mos blejnë më dhe t‘i fshehin lekët nën jastëk, për ne ka ardhur fundi", shpjegon Bob Carbonell, drejtor i zyrës së kredive në agjencinë financiare "Bernard Sands". Për të evituar që kjo të ndodhë, qyteti ka shpërthyer nga dyqanet që ofrojnë veshje, aksesorë, libra, produkte për shtëpinë, madje edhe mobilie me çmime shumë të ulëta. Objektivi i këtij viti duket se nuk janë turistët, por shtëpiaket, babai i familjes, njujorkezi që banon në një shtëpi të bukur në Upper East Side, ose Brooklyn, por që këtë vit ka vendosur të reduktojë shpenzimet. Mjafton të bësh një shëtitje në Rrugën 42, përballë "Grand Central Terminal" dhe përballë do të gjendesh me një mori dyqanesh që shesin këpucë të firmave të ndryshme me çmime shumë të ulëta, ose me ofertat "Bli dy dhe paguaj artikullin e dytë përgjysmë". Pas blerjes nuk mungon edhe fatura me mbishkrimin "You saved..." Që të kujton se sa ke kursyer. Në këtë moment, në qendër të Manhatanit me më pak se 40 dollarë mund të blesh disa palë këpucë, një kapele dhe një çantë mode. Por jo vetëm kaq. Një stilist i njohur anglez sapo ka hapur në Brooklyn një dyqan që shet veshje me 30 për qind ulje, ndërsa në "Lafayette Street", një argjendari ofron mallrat e saj jashtëzakonisht lirë; në "Fulton Street" një librari shet libra me më pak se dy dollarë dhe në qendër të qytetit gjen dyqane mobiliesh me ulje deri në 70 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›