E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufijte detare, Imami: Do rinegociojmë marreveshjen

TIRANE- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi dje se qeveria shqiptare do të fillojë rinegocimin e marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Në një prononcim të djeshëm për mediat lidhur me këtë çështje, Imami sqaroi se, ky proces do të nisë pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa garantoi se qeveria do ta respektojë vendimin e këtij institucioni, që e shpalli si antikushtetuese marrëveshjen e parë. “Për një marrëveshje ndërkombëtare qeveria është një aktor, ashtu sikurse janë aktorë Presidenti, Parlamenti, Gjykata Kushtetuese. Në këtë rast, kur flet gjykata të tjerët heshtin. Do të presim vendimin e Kushtetueses, pasi ende nuk e kemi parë, në mënyrë që të shohim çfarë është pjesë formale dhe çfarë joformale. Më pas, mbi bazën e detyrave që do të shtrohen, për grup të ri apo për çfarëdolloj rinegocimi me palën greke, ne do të mundohemi të plotësojmë detyrat tona”, - tha ministri Imami. Më 26 janar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi përmes një votimi unanim, 9-0, marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë për shkak se konstatoi “shkelje proceduriale dhe substanciale, që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982”. Në reagimin e tij të parë lidhur me këtë çështje, kryeministri Sali Berisha deklaroi se, “vendimi i gjykatës, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet dhe do të pranohet”. Ndryshe nga reagimi tepër i butë i kreut të qeverisë, ministrit të Mbrojtjes si edhe vetë Athinës zyrtare, ministri ynë i Punëve të Jashtme, Ilir Meta është shpreh i keqardhur për atë që e quajti si “instrumentalizim i kësaj çështjeje nga grupet ekstremiste”.Droutsas Ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për radion greke ‘NET’, sqaroi mes të tjerash se, kishte marrë garanci nga shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta se marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve do të rinegociohej. “Unë besoj se mënyra e nevojshme për të ecur përpara me këtë çështje do të jetë gjetur. Siç ju thashë, ne jemi në kontakte me qeverinë shqiptare dhe mora garancinë se një zgjidhje do të gjendet”, - deklaroi Droutsas, fill pas takimit të zhvilluar në Londër me zv/kryeministrin shqiptar.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›