Marrja e Mansinit mbylli polemikat Milan-Inter
MILANO- Milani ka prezantuar të martën Amantino Mansinin, i marrë nga Interi në huazim deri në fund të sezonit. “Më pëlqen që kalova në skuadrën tjetër të qytetit, - deklaroi Mansini në momentin e prezantimit para mediave. – Këtu kam gjetur një atmosferë të ndryshme nga ajo çfarë lashë tek Interi. Falënderoj Masimo Moratin që më dha këtë mundësi, por edhe Galianin që më kërkoi. Tani do të shihni Amantinon që njihni”, shtoi braziliani. Por, kalimi i tij te Milani duket se ka rregulluar edhe raportet mes dy klubeve të Milanos, që ishin acaruar në maksimum pas derbit të 24 janarit. “Një meritë e madhe për këtë transferim i shkon Kalendës, prokuratorit të Mansinit, - deklaroi Adriano Galiani. – Gjithçka kishte lindur si një shkëmbim i thjeshtë me Jankulovskin dhe të dyja palëve na pëlqente kjo. Ishte OK-i i të gjithëve, por në fund Marek refuzoi të shkonte tek Interi. Në fund arritëm ta marrim Mansinin dhe ky transferim ka fshirë të gjitha polemikat post-derbi”, u shpreh zëvendës presidenti i Milanit.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)