Murinjo polemizon me datat e Kupës së Italisë
MILANO- Interi do të presë Fiorentinën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, që do të luhet të mërkurën në mbrëmje. Zikaltërit vijnë në këtë takim të shplodhur për shkak se e bënë pushim të dielën, kur stadiumi “Tardini” i Parmës nuk lejoi që ndeshja të luhej. “Kemi arritur në gjysmëfinale, kështu që do të kërkojmë finalen, - tha Murinjo në konferencën e sotme për shtyp. – Nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë do të kemi Fiorentinën, por edhe për shkak se ndeshja e kthimit luhet në muajin prill dhe kushedi se si do të jetë gjendja e skuadrave atëherë”, shtoi ai duke polemizuar. Tekniku portugez e ka quajtur të çuditshme zhvillimin e një gjysmëfinaleje të tillë. “është njësoj si të luash pjesën e parë të një ndeshjeje dhe të kthehesh pas dy muajsh për të luajtur të dytën, - deklaroi trajneri zikaltër. – Nuk e di se cilin rezultat që do të marrim nesër në mbrëmje të konsideroj të mirë. Mund të mos na mjaftojë edhe një fitore 3-0, ashtu siç nuk do të ishte dramatike një humbje 0-1”. Interi luan 3 ndeshje të rëndësishme në 8 ditë dhe për Murinjon problemi më i madh është se mungesat e shumta nuk e lejojnë që të bëjë rotacion. “Gjithsesi, ndonjë ndryshim do ta bëj, por ka nga ata lojtarë që do të luajnë në çdo ndeshje”, tha ai.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)