Kufiri detar, Beja: Me Greqinë, pakti i ri për zonën ekonomike dhe ujërat nëntokësorë
Edhe pa një pakt detar të ri me Greqinë, kufiri vijon të mbetet i pandryshuar dhe i mirë përcaktuar. Kryetari i Komsionit të Jashtëm, Fatos Beja në një intervistë për ‘AS’ shprehet se marrëveshja me shtetin fqinj thjesht do të përcaktojë detaje si për shembull shfrytëzimi i nëntokës, por prej pothuajse një shekulli kufiri qoftë ujor e tokësor, është i qartë për të dyja vendet.
“Asnjëherë nuk vihen në dyshim këto kufij. Është një çështje për t’u shtjelluar në të ardhmen, por nuk lidhet me kuptimin e njohjes së kufirit për të cilin flitet sot sepse të dy shtetet kanë nënshkruar Kartën e Helsinkit, që përcakton qartë që shtetet nënshkruese njohin kufijtë ekzistues në Europë. Kufiri ekziston në bazë të akteve ndërkombëtare të njohura, e legjislacionit të secilit vend dhe nuk shtrohet fare çështja e njohjes, mosnjohjes së kufirit për të cilin ka pasur për fat të keq edhe abuzime“,-tha Beja.
Por atëherë përse u nënshkrua pakti detar me Greqinë?
“Çfarë janë ujërat e brendshme? Çfarë është vija bazë? Çfarë është deti territorial? Çfarë është zona fqinje e kështu me radhë dhe që lidhet me të drejtën e shfrytëzimit të detit, të shfrytëzimit të nëntokës së detit, e shfrytëzimit të ujërave territoriale. Të gjitha këto është mirë të rregullohen në një akt bilaterial, përtej akteve ndërkombëtare. Një akt bilateral shmang interpretimet e ndryshme në momente të caktuara”,-theksoi ai.
Në 2009-ën, Shqipëria dhe Greqia nënshruan një marrëveshje detare, ku përcaktonin kufijtë detarë mes 2 vendeve. Marrëveshja u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pak muaj më pas. Javën e kaluar, Kuvendi miratoi një ligj të ri për kufirin i cili rikthen kordinatat kufitare ujore të ligjit të 2001-it e që u shfuqizuan më pas në 2008-ën, pak para nënshkrimit të paktit me grekët. Rikthimi në fuqi i këtyre kordinatave, sipas ekpertëve do shërbejë për hartimin në marrëveshje kufitare më favorizuese për Shqipërinë.