E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri detar, interpelancë Papandreut



Erald Kapri

Rrëzimi i marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, së kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë, ka vënë në lëvizje politikën greke, e cila po kërkon që marrëveshja të marrë jetë sa më shpejt. Sipas agjencisë së lajmeve shtetërore greke "ANA", dy deputetë të majtë në Parlamentin grek të Partisë SYRIZA, Vasilis Mulopulos dhe Thodhoris Dhricas, kanë kërkuar një interpelancë me Kryeministrin e vendit, Jorgo Papandreu. Në njoftimin për shtyp të kësaj partie, deputetët kanë dorëzuar 3 pyetje për interpelancë me Kryeministrin Papandreu për marrëveshjen e ujërave. Në këtë njoftim për shtyp, deputetët e vlerësojnë si jetike miratimin e sa më shpejt të kësaj marrëveshjeje, pasi sipas tyre, Greqisë iu dhanë 355 kilometra katrorë det, por në të njëjtën kohë, në atë zonë do të kalojnë gazsjellës strategjikë rusë. "Me këtë marrëveshje iu dhanë Greqisë përafërsisht 355 kilometra katrorë det, që kanë një pozicion të posaçëm dhe veçanërisht liturgjik. Nga kjo zonë do të kalojnë një sërë tubacionesh nafte dhe gazi natyror (Nabuko, South Stream)", thuhet në njoftimin për shtyp, publikuar nga agjencia greke e lajmeve. Sipas kësaj partie, "Marrëveshja e mësipërme kishte një rëndësi të dyfishtë strategjike. Nga njëra anë rëndësi tërësisht gjeostrategjike, për shkak të tubacioneve dhe nga ana tjetër, si një marrëveshje për t'u marrë si bazë për shelfin detar dhe zonat e tjera detare në Egje". Ata thonë më tej se, "Marrëveshja nuk u publikua nga asnjëra palë dhe ndërkohë që u nënshkrua në prill 2009, as Qeveria e atëhershme e Demokracisë së Re, e as Qeveria e re e PASOK-ut nuk e sollën për ratifikim në Parlament. Dhe më pas ndodhi kthimi negativ, kur opozita shqiptare iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për anulimin e marrëveshjes".
Marrëveshja
Më tej në shqetësimin e dy deputetëve të majtë grekë, thuhet se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare në janarin e kaluar ishte pro anulimit, pa publikuar ende arsyetimin e saj. Në këtë mënyrë, marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Greqi nuk ekziston më". Referuar marrëveshjes së nënshkruar nga dy qeveritë e vendeve, deputetët grekë vlerësojnë përmbajtjen e saj. Ata e cilësojnë marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare si korrekte me ligjet ndërkombëtare. "Marrëveshja ishte bazuar në konventën për të Drejtën e Detit dhe përfshinte të gjitha parametrat dhe praktikat e drejta që nuk pranon Turqia të njohë në Egje. Pranonte shelf detar në ishuj dhe përcaktonte në mënyrë të drejtë (duke nisur nga shkëmbinjtë dhe ishujt e vegjël) vijën e mesme të kufijve, por edhe Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE). Me këtë bazë njiheshin të drejtat që lindin nga vendndodhja e ishujve në veriperëndim të Korfuzit (Matharaqi, Erikuza, Othoni)", thuhet më tej në njoftimin për shtyp të kësaj force politike, e cila do të zhvillojë interpelancën me Ministrin e Jashtëm Grek, njëkohësisht Kryeministrin Jorgo Papandreu.
Pyetjet për Papandreun
Në interpelancën me Kryeministrin grek, Papandreu, deputetët e Partisë së majtë, SYRIZA, kanë dorëzuar 3 pyetje. Pyetja e parë për Papandreun është: "çfarë veprimesh ka ndërmarrë Qeveria dhe çfarë po planifikon të bëjë, që të shpëtojë dhe të zbatohet marrëveshja që kishte një karakter përfitues për të dyja palët dhe ishte një hap i rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve greko-shqiptare?". Pyetja e dytë: "Si mendon Qeveria që ta zgjidhë këtë çështje në kuadër të negociatave për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?". Në pyetjen e tretë kërkohet: "çfarë ka ndërmend të bëjë Qeveria, në mënyrë që kjo çështje të mos kthehet në një pikë fërkimi dhe përdorimi populist nga të dyja anët e kufijve, me pasoja negative për marrëdhëniet greko-shqiptare?".

Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen
Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë në janar të këtij viti, me një vendim unanim, 9 me 0. Gjykata Kushtetuese argumentoi se në atë marrëveshje, nënshkruar nga të dyja palët, nuk ishin zbatuar detyrimet që kërkonte marrëveshja ndërkombëtare për ndarjen e detit. Sipas vendimit të gjykatës, nuk ishte marrë plotfuqia e Presidentit për nisjen e negociatave. Qeveria shqiptare pritet të rinisë negociatat për një marrëveshje të re. Marrëveshja me Greqinë u nënshkrua në prill të vitit të kaluar. Por ajo menjëherë u vu në qendër të debateve, kur ekspertë
të ndryshëm deklaruan në media se pala shqiptare
në bisedime i kishte lëshuar territor palës greke.

Gazsjellësi rus kalon në Korfuz
"Moska po ecën para në projektet e saj gjigante energjetike", shkroi agjencia e lajmeve evropiane "Euobserver". Sipas kësaj agjencie, gazsjellësi rus "South Stream" (Rrjedha Jugore), i cili kalon në ngushticën e Korfuzit afër ujërave shqiptare, pritet të nisë ndërtimin në fund të këtij viti e do të përfundojë në vitin 2015. Ky gazsjellës do të ketë një kapacitet prej 63 miliardë metër kub gaz në vit dhe vendet e përfshira në të janë Bullgaria, Austria, Greqia, Hungaria, Italia dhe Sllovenia. Ky gazsjellës do të kalojë në ngushticën e Korfuzit, e më pas në Itali.

Deputetët, pjesë e së majtës greke
Deputetët grekë, të cilët kanë kërkuar interpelancën me Kryeministrin Jorgo Papandreu, janë pjesë e së majtës greke. Ata përfaqësojnë partinë SYRIZA, e cila është një parti e majtë radikale në shtetin fqinjë. Nga numri i vendeve që gëzon kjo forcë në Kuvend, renditet si partia e pestë më e madhe në Greqi. Dy deputetët që kanë kërkuar interpelancën janë Vasilis Mulopulos dhe Thodhoris Dhricas, të cilët janë deputetë në Kuvendin grek në disa legjislatura. Në interpelancën me Kryeministrin, ata do të kërkojnë sqarime rreth marrëveshjes me Shqipërinë.

Reagimi zyrtar grek për marrëveshjen
Rrëzimi i marrëveshjes së ndarjes së ujërave mes Shqipërisë e Greqisë nga Gjykata Kushtetuese, solli edhe reagimin e shtetit fqinj. Zëvendësministri grek nuk u pajtua me këtë vendim, por theksoi se Greqia do të respektojë këtë vendim. E ashpër në reagimin e saj ishte ish-ministrja e Jashtme, Dora Dakojanis, e cila ishte firmëtarja e kësaj marrëveshje në Tiranë. "Anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste të Shqipërisë është se lideri i saj Edi Rama u bashkua me këto forca", deklaroi Dakojanis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›