E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri detar me Greqinë, PS: Haxhinasto jep sqarim

TIRANE - Deputetët e Partisë Socialiste në komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare kërkuan dje një seancë dëgjimore me Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, lidhur me negociatat shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve.

“Unë do t’ju lutusha juve z.Demi, si kryetar i komisionit të thërrisni ministrin e Jashtëm me të cilin ne kemi një seancë dëgjimore për arsye tjetër, për çështjet e sigurisë në misionet tona. Përveç asaj çështje, të vijë e të na raportojë edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, përsa i përket marrëveshjes se detit”, kërkoi dje deputeti socialist, Ilir Gjoni.

Ai sqaroi se kjo kërkesë lidhej me shqetësimin e bërë publik nga peshkatarët shqiptarë në Jug të vendit të cilët jo vetëm gjobiten por nuk lejohen sipas tij të kalojnë një vijë imagjinare kufiri të caktuar nga autoritetet shtetërore greke.

Të njëjtin shqetësim shprehu dhe deputeti tjetër socialist, Piro Lutaj, sipas të cilit, pakti detar vazhdon të ekzistojë sot e kësaj dite pavarësisht se shfuqizimit që iu bë atij nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Një tjetër shqetësim i ngritur nga ligjvënësit socialistë në mbledhjen e djeshme të komisionit lidhej edhe me urdhërin e lëshuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami për emërimin e Ferdinand Kreshpanit në postin e komandantit të Flotës Detare.

Sipas Lutaj, ky është një puç institucional për shkak se emërimi duhet bërë me dekret nga Presidenti i Republikës, i cili njëherazi është dhe Komandandi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe jo nga ministri i Mbrojtjes.

“Kushtetuta dhe ligji nuk e lejon që këtë autoritet ta ushtrojë ministri i Mbrojtjes. Presidenti i Republikës me propozim të ministrit të Mbrojtjes emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, ajrore dhe detare”, argumentoi mes të tjerash Lutaj. Por sipas kreut demokrat të komisionit, Leonard Demi, adresimet politike dëmtojnë çështjet sensitive të sigurisë kombëtare. Ai u shpreh i gatshëm për sqarimin e të gjitha kërkesave të grupit socialist. Në mbledhje u diskutua gjithashtu dhe mbi disa ndryshime në ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale. Deputetët kërkuan që ky institucion të funkionojë më efektivisht, pasi sipas tyre, ka raste në të cilat këto të dhëna përdoren gjatë fushatave elektorale.

(er.nu/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera AK: Kanali i Korfuzit, tjetër gjunjëzim i qeverisë ndaj haraçit grek

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›