Kufiri me Greqinë, Italia: Do flasim në momentin e duhur
Italia e vlerëson si një argument delikat marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Gjatë një prononcimi për mediat, konsulli italian ne Vlore, Sergio Strozzi tha se Roma zyrtare do të flasë lidhur me këtë pakt në momentin e duhur pasi të verifikohet gjithçka. “Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë është një çështje dypalëshe. Në këtë fazë të kësaj marrëveshjeje është ende shpejt nga ana jone, nga ana e shtetit italian, të bëjë komente për këtë argument mjaft delikat, i cili duhet të përballohet, vlerësohet dhe verifikohet në momentin e duhur”, shprehet Strozzi. Lidhur me këtë marrëveshje folën pak ditë më parë edhe zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta edhe homologu i tij italian, Franko Fratini gjatë një konference të përbashkët për shtyp. Sipas kreut të diplomacisë italiane “unë them se çështjet që kanë të bëjnë me kufijtë detarë duhet të trajtohen nga vendet e interesuara. Këtë qëndrim kam mbajtur me forcë kur bëhej fjalë për kufirin detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Aq më shumë e theksoj këtë qëndrim në çështjen me Greqinë”, tha Fratini. Nga ana e tij zv/kryeministri dhe ministri Meta theksoi se: “Lidhur me këtë marrëveshje dua të them se ajo është një marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila respekton dhe është mbështetur në zbatimin e konventës ndërkombëtare për detin dhe sigurisht respekton edhe interesat italiane. Për sa i përket pikës treshe, ajo do të negociohet mes tre palëve”.