E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, rasti për të kryesuar

 

Leonard Karaj

Ndalet Dinamo. Besa ka rastin më të mirë për t’iu bashkangjitur bluve të kryeqytetit në kreun e renditjes së Superligës.
Ka mjaftuar barazimi i skuadrës së Shkëlqim Muçës, dje në Korçë ndaj Skënderbeut që të ndizej atmosfera në Kavajë. Besa e Shpëtim Duros ka rastin më të mirë për të kryesuar sërish me dinamovitët përderisa diferenca në pikë është vetëm tre. Ditën e sotme ndaj Apolonisë fitorja mund ta çojë aty ku ishte deri dy javë më parë. Sulmuesi i kavajasve, Daniel Xhafaj, shprehet se Besa ka shansin më të mirë për t’u rikthyer sërish në kryesim dhe sipas tij, ky rast nuk duhet humbur. “Fakti që Dinamo ka barazuar na bën optimistë dhe na shton akoma më tej motivimin për ndeshjen e radhës. Mendoj se kemi një shans të mirë për t’u rikthyer sërish në krye të klasifikimit dhe nuk duhet ta humbim këtë rast. Padyshim që Apolonia është një kundërshtar i fortë dhe ata do të kërkojnë që të na ndalin hapin, mirëpo ne jemi shumë të motivuar për të arritur objektivin tonë. U them tifozëve që të na përkrahin, pasi është një ndeshje e rëndësishme dhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre”, ka thënë dje golashënuesi më i mirë për momentin te Besa, Daniel Xhafaj me 3 gola në 7 javë. Trajneri Duro do të hedhë në fushën e lojës lojtarët më të mirë që ka në dispozicion për momentin, ndërkohë që dy mungesat e konfirmuara janë Poçi dhe Cikalleshi. Por kjo nuk përbën një problem, pasi dy zëvendësuesit e tyre në formacion, Dhëmbi dhe Leci, janë në formë të shkëlqyer duke bërë që trajneri të mos shqetësohet edhe aq shumë për këto mungesa. Fansat kavajas po e presin me padurim këtë përballje me ekipin e Apolonisë. Ndeshja midis Skënderbeut dhe Dinamos është ndjekur me mjaft interes ditën e djeshme në Kavajë dhe gëzimi kur takimi ka përfunduar në barazim ka qenë i pamasë. Sot ata pritet që të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës. Interesi në Kavajë është i madh për këtë takim, aq më shumë kur përballë do të jetë një rival direkt në tabelën e klasifikimit. Kryetifozi Kasem Hyka në një koment të shkurtër shprehet: “Do ta mbështesim ekipin e zemrës, pasi besojmë se mund të jemi kryesues. Shpresojmë ta mundim Apoloninë, por do të kërkojmë që të shohim edhe një lojë të bukur nga ekipi ynë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›