“Giffoni” në burgun e Kavajës
Rrugëtimi i edicionit të pestë të “Giffoni Shqipëria” u ndal ditën e shtunë në një vend jo të zakonshëm, në burgun e të rinjve në Kavajë. Një projeksion i veçantë i filmit “Broken Hill” ngjarjet e të cilit vendosen në një burg të Australisë, u është kushtuar të miturve që vuajnë dënimin në këtë burg. Të mitur nga 14-18 vjeç, që vuajnë dënimin në burgun e Kavajës kanë ndjekur historinë e Tomit, një djalosh që jeton me të atin në një fermë delesh, por që ka pasion të madh muzikën. Tomi është një djalosh që ka lindur dhe është rritur në një vend të shkretë të Australisë. Ai punon në një fermë delesh dhe mundohet të bëjë gjithçka për të kënaqur të jatin e tij, por dëshira më e madhe e Tom është të bëhet një muzikant i madh. Gjithçka ndryshon kur Tomi takon shoqen e re të klasës, Ketin, një vajzë e bukur bionde. Tomi përpiqet të bëjë gjithçka që të tërheqë vëmendjen e saj, aq sa futet në telashe me policinë lokale. Fatmirësisht i shpëton burgimit dhe zgjedh të bëjë punë komunitare në një burg të afërt. Fati do t’i buzëqeshë kur mësuesi i tij i muzikës kërkon t’i bëjë një audicion që të marrë pjesë në Konservatorin më të mirë të muzikës. Kundër të gjitha shanseve, Tom fiton dashurinë e Ket, gjen mënyrën për t’u pajtuar me të atin dhe drejton koncertin e jetës së tij me orkestrën që ngre me të burgosurit e burgut. Një prodhim australian i vitit 2009 me regji të Dagen Merill, i përzgjedhur si filmi më i mirë në edicionin e këtij viti në “Giffoni Film Festival” në Itali, ka mundur të përcjellë edhe një mesazh shpresëshënës. Drejtori i këtij burgu, Rudin Cara u shpreh se projeksioni i “Giffoni Shqipëria” nuk mund të jetë veçse një prelud për fillimin e punës në këtë institucion si i pari aktivitet i këtij lloji. “Ne pamë aty aspekte të domosdoshme dhe konkrete që ne i hasim në jetën e përditshme, por pamë edhe se mjaftoi vetëm një model pozitiv, djaloshi Tom, që jeta në komunitet të riorganizohej, se me ndihmën e komunitetit këta të rinj kanë shumë shanse të riintegrohen sërish në shoqëri pasi të vuajnë dënimin”, është shprehur drejtori Cara. Ndërsa për presidentin e festivalit Namik Ajazi projeksioni i këtij filmi në këtë burg nuk kishte tjetër qëllim veçse atë që “Giffoni Shqipëria” ka synuar gjatë këtyre 5 viteve, që ky format festivali të jetë i pranishëm në të gjitha grupmoshat e në këtë kuptim nuk mund të mos përfshihej projeksioni në burg, vend në të cilin vendosen edhe ngjarjet e filmit. Përgjatë gjithë filmit, të miturit janë ndjerë protagonistë të këtij realizimi. Tek tuk bashkëbisedonin me njëri-tjetrin apo edhe me punonjësit social që i shoqëronin. Në fund, në një seancë bashkëbisedimi secili, nën druajte thoshte ndonjë mendim. Ishin të kënaqur që një ditë e tyre ishte ndryshe. “Do donim që të shihnim edhe herë të tjera filma”, thonë ata duke mos menduar në këtë rast ekranin e televizionit.