E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes Shilës dhe Karibdës së Nacionalizmit: Historia Politike e Bektashizmit

 

Ilir Kalemaj

Monografia “Bektashizmi në Shqipëri: Histori Politike e një Lëvizje Fetare”, e akademikut Albert Doja, botuar edhe në shqip nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare vitin e kaluar, është  një nga studimet më të plota dhe përfaqësuese për një dukuri që është trajtuar pak ndërkombëtarisht dhe thuajse aspak nga studiues shqiptarë nën prizmin shkencor. Kjo vepër në një farë mënyre i jep një përgjigje dhe kritikës të artikuluar shpesh kryesisht në qarqet publicistike se pothuajse gjithçka me vlerë në lëmin e shkencës, sidomos në fushat e shkencave humane dhe shoqërore është shkruar nga të huajt, duke imponuar një farë inferioriteti kallp që nuk i përgjigjet domosdoshmërisht realitetit. 
Autori ka botuar disa dhjetëra artikuj në revistat studimore ndërkombëtare më në zë në lëmin e antropologjisë dhe sociologjisë, duke u përqendruar sidomos në studimin e përdorimit politik të identitetit, fesë, gjinisë dhe marrëdhënieve fisnore, etnisë dhe nacionalizmit, antropologjinë e historisë, teoritë antropologjike dhe kulturore, strukturalizmin dhe post-strukturalizmin. Një vend të veçantë ka zënë studimi i përdorimit politik të fesë, duke u përqendruar sidomos te bektashizmi, një fe kjo jo vetëm qartësisht e identifikuar me shqiptarët, duke qenë se dhe kryegjyshata botërore sot e ka selinë në Tiranë, por edhe për shkak të  rolit të veçantë që ka luajtur në lëvizjen kombëtare në fund të shek. XIX dhe fillim shek. XX. 
Studiues bashkëkohorë si Nathalie Clayer, Ger Duijzings etj., apo edhe të tjerë para tyre i kanë kushtuar gjithashtu, një vëmendje të veçantë proceseve të formësimit dhe rikrijimit fetar dhe nacional të shqiptarëve, duke pasur në qendër të analizës së tyre një lidhje shkakësore mes të dyve dhe janë përqendruar gjithashtu te bektashizmi si një prej feve që ka luajtur një rol të veçantë në proceset komb-formuese dhe identitare të shqiptarëve. Doja pasi bën një analizë dhe kritikë të pjesës më të madhe të autorëve që e kanë cekur këtë temë, elaboron gjithashtu një kritikë shkencore duke iu referuar qoftë përdorimit të njëtrajtshëm të burimeve nga ana e disa prej autorëve, ashtu edhe një interpretimi më holistik të së dhënave empirike për të arritur në një sintezë më të përgjithshme dhe analizë më koherente jo vetëm të zhvillimit historik të një lëvizje fetare, siç është bektashizmi, por edhe deduksione të gjeneralizuara dhe mundësisht të aplikueshme në studime të tilla të  ngjashme.
Doja vë theksin te ndryshimet, si strukturore, ashtu dhe organizative që kanë ndodhur me lëvizjen fetare të bektashinjve, të cilët ne rrethana te caktuara historike kane shfaqur karakteristika të përbashkëta me atë që sociologu i shquar Max Weber i quan “grupe karizmatike” dhe që ndjekin një “vijë fetare jozyrtare” duke i përkitur familjes së mistikëve dhe sofizmit. Tej të parit e këtij grupimi si një homogjen dhe i pandryshueshëm, autori studion variacionin në variablin e varur (nëse përdorim terminologjinë standarde të shkencave sociale) dhe argumenton bindshëm si meritat, ashtu edhe dobësitë e kësaj lëvizje fetare që sot është në pozitë ambigue, ndërmjet statusit si një prej katër feve zyrtare të  njohura nga shteti shqiptar dhe lidhjes që shumë prej teologëve të saj i bëjnë me myslimanizmin Sunit.
Ndër karakteristikat kryesore të bektashizmit që i janë veshur bektashizmit nga studiues të ndryshëm, janë natyra e tij liberale, sinkretike, rebele ndaj autoritetit qendror të Perandorisë Osmane, njëherazi kozmopolite dhe nacionaliste, duke përligjur shpresat e një pjese të mirë të elitës përparimtare dhe duke shërbyer si burim legjitimiteti që ngrihet kundër regjimit në fuqi, aq sa te konsiderohet si një “fe e vegjëlisë” sikundër e vëren autori.
Një aspekt i veçantë i punimit të Dojës është edhe tejkalimi që i bën thjesht parashtrimit të fakteve historike apo riteve të tyre simbolike në mënyrë deskriptive dhe fokusimi “tek analiza e dinamikës politike dhe sociologjike të lindjes dhe rilindjes së tyre” (fq. 13). Doja kontekstualizon të qënurit e një “lloj teologjie çlirimtare, si një lëvizje dhe partner gjysmë politik në harmoni me lëvizjet kombëtare, si dhe si një bazë të fuqishme ideologjike për përforcimin e autoritetit politik” (f. 16). Nga ana tjetër, autori kritikon cilësimin e bektashizmit si “shprehja më e kulluar e fetarisë së shqiptarëve dhe ruajtja e traditave shqiptare në atë masë, sa të merrej për të vetmen fe me të vërtetë kombëtare” si dhe roli e ashtuquajtur te patjetërsueshëm “në zgjimin kombëtar të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shek. XIX”, veçanërisht ne qëndrimin e studiueses frënge N. Clayer e cila te vepra e saj Feja dhe Kombi mes Shqiptarëve, vë theks të veçantë te lidhja shkakësore mes kësaj lëvizje fetare dhe zhvillimit të nacionalizmit shqiptar.
Autori e kritikon Clayer për një njohje të sipërfaqshme të realitetit historik, ashtu sikundër edhe autorin tjetër Ger Duijzings për përdorim selektiv të burimeve dhe krijimin e lidhjeve të shkurtra mes faktesh që mund të mos kenë asnjë lloj korrelacioni, duke iu referuar “karakterit afetar të nacionalizmit shqiptar” (f. 68) që ai e zhvillon si tezë tjetërkund. Mendoj se ndryshimi themeltar me Clayer-in mund të jetë fakti se ndërsa autorja vë theksin te bektashizmi si shkaku dhe nacionalizmi romantik ndër shqiptarët si pasoja. Doja e kthen përmbys këtë ekuacion duke u ndërruar vendet dhe duke folur më tepër për “etnicizimin e fesë” sesa fetarizmin e lëvizjes kombëtare. Por edhe po të pranohet impakti i bektashizmit në frymëzimin e lëvizjes kombëtare, ky ka qenë vetëm i pjesshëm dhe kurrsesi faktori kyc sikundër lë të nënkuptohet Clayer.
Po ashtu, kritika që i bën Duijzings, kur ky i fundit bën një lidhje të drejtpërdrejtë të efektit që ka pasur “Qerbelaja” e Naim Frashërit si një impakt direkt në formësimin e miteve të  shekullit të XIX-të me mitin e Car Llazarit në Serbinë fqinje, duke iu referuar qoftë  ndryshueshmërisë substanciale të tyre, qoftë shkallës së përhapjes në popullatë, është mjaft e qëlluar dhe dekonstrukton në mënyrë bindëse analogjinë e autorit holandez. Ndërsa miti serb ishte një mit i institucionalizuar, poezitë epike të N. Frashërit, si “Qerbelaja” apo “Histori e Skënderbeut” as që mund të vihen në të njëjtin kandar, madje as me poemën epike të Njegoshit, princit malazez e cila u kthye në  himnin nacionalist të serbëve të shekullit të  XIX dhe XX-të. Sikundër shprehet vetë Doja në f. 75, “të krahasosh ideologjinë  kombëtare të Naim Frashërit me nacionalizmin serb, është një lloj si të krahasosh romantizmin e Herderit me nacional-socializmin e Hitlerit!” Doja e përmbledh argumentimin e tij, duke konkluduar se “duket e arsyeshme të mendohet se bektashizmi i ri shqiptar mund të jetë krijesë e lëvizjes kombëtare shqiptare, veçanërisht pas përpunimit të ndjeshëm të doktrinave të tij heretike të kryera nga Naim Frashëri” (f. 84).
Gjithashtu, Doja merr në konsideratë mbështetjen e fuqishme që ky sekt mori asokohe nga Ali Pashë Tepelena, duke argumentuar se në fakt qëllimet dhe objektivat e Aliut, që donte të shkëputej dhe të fitonte autonomi përherë e më shumë nga qendra në Stamboll dhe disidenca e tij, përkonin fare mirë me bektashizmin si një rrymë fetare heterodokse dhe disidente ndaj autoritetit qendror islam. Pra më tepër se instrumentalizim i bektashizmit nga Ali Pasha apo ky i fundit i vënë në shërbim të rigjallërimit të kësaj lëvizjeje fetare, Doja e sheh si një ndihmesë të dyfishtë që këto dy qendra pushteti autonome i dhanë njëra-tjetrës në funksion të mbijetesës përballë pushtetit qendror dhe kësisoj ndikuan së bashku në zhvillimin e frymës kombëtare dhe kërkesave për mëvetësi.
Gjithashtu, monografia ka vlera për sa i përket vështrimit si diakronik, ashtu edhe sinkronik të zhvillimit të bektashizmit, duke u ndalur në zhvillimet paskomuniste ku njëherazi shihet si disidenca e kundërshtimit të autoritetit të Tiranës nga ana e bektashinjve të diasporës (f.105), ashtu edhe influencat radikale pro-iraniane përkundër influencave të traditës vendore. Kjo e fundit të sjell ndërmend të njëjtën situatë në komunitetin islamik, ku përballë përkrahësve të rrymës së Hanafit të moderuar të bazuar në vlerat e trashëguara dhe që i jep islamit shqiptar një karakteristikë të veçantë si evropianë, kemi rryma më radikale si wahabi, importuar nga klerikët e rinj shqiptarë të shkolluar në disa nga vendet arabe.
Doja e përmbyll punimin e vet shkencor duke risjellë në vëmendje të lexuesit se çdo sekt fetar, pra një lëvizje shoqërore apo fetare në disidencë me pushtetin qendror apo fenë zyrtare, pajtohet në fund me këtë të fundit, duke bërë një përgjithësim teorik që vlen të testohet empirikisht edhe në raste të ngjashme. Sikundër ka argumentuar më në detaj në një punim pararendës, autori beson se lëvizjet e reja fetare të lindura si pasojë e krizave shoqërore, kulturore apo kombëtare, duhen parë ose “si përligje e lëvizjeve fetare, ose si një ideologji që  përligj sundimin” (p.110). Në rastin e bektashizmit shqiptar, autori ka demonstruar qartë se kemi të bëjmë me të dyja rastet, në  kohë të ndryshme.
Leximi im është se Doja tenton të çmitizojë rolin e patjetërsueshëm në zgjimin kombëtar të shqiptarëve që studiues të tjerë apo bektashinjtë vetë i kanë veshur bektashizmit dhe përqendrohet të përgjithësimi i rëndësishëm teorik se bektashizmi, ashtu sikundër çdolloj lëvizjeje tjetër fetare që ka filluar si heretike, protestuese etj, me kohë është përshtatur dhe kthyer në fe konservatore. Jo vetëm kaq, por më e rëndësishmja dhe si në raste analoge u është bashkangjitur kauzave të caktuara ideologjike-politike që i shërbejnë si burim legjitimiteti për të rritur numrin e pasuesve të vet dhe/ose u ka shërbyer si burim legjitimiteti kauzave të ngjashme. Këtu ka vend për kritikë pasi kemi të bëjmë me një tautologji që në fakt nuk është se thotë ndonjë gjë të re nga pikëpamja teorike, përveçse inkuadron apo pozicionon bektashizmin në tablonë e përgjithshme të lëvizjeve heretike që në përpjekje për të rritur numrin e pasuesve adoptojnë qëndrime tradicionaliste dhe kombëtariste, ndërsa empirikisht merret pak me studimin e impaktit që kishte kjo fe sinkretike në unifikimin kombëtar të shqiptarëve, theks ky i vënë me apo pa të drejtë nga studiues të ndryshëm. Parë nga ky këndvështrim, libri i Dojës komplimenton studimet e tjera në këtë fushë dhe është një prurje interesante për nxitjen e një debati ndërdisiplinar mbi përdorimin politik të fesë, shndërrimet identitare, lidhjes mes etnisë, fesë dhe nacionalizmit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›