E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri që i shkëput lidhjet familjare

Edhe më herët shqiptarët i kishin ndarë kufijtë administrativë të shtetit që nuk ishte i tyre, por nëse për shumëçka ata diskriminoheshin, kishte një gjë të mirë - ata mund të lëviznin lirshëm, lidhnin miqësi familjare e martesore e raste të tilla të shumta ka sidomos në komunën e Gjilanit dhe përgjithësisht në Anamoravë, të cilat vazhdojnë edhe sot. Edhe kur Kosova u nda prej Serbisë, lidhjet e tilla vazhduan dhe, ndonëse komunikimi zhvillohej më vështirë, ai vazhdonte edhe më tej, kurse kohëve të fundit, një gjë e tillë është bërë shumë e vështirë, sidomos që prej se kanë filluar të aplikohen policat e sigurimit, të cilat sidomos i kanë goditur banorët e Luginës së Preshevës.

Nuk ka familje nga Lugina e Preshevës që nuk ka lidhje familjare me dikë në komunën e Gjilanit, bile shumë të afërta, sikurse që është e pashmangshme që ato të vizitohen ndërmjet veti, shkruan Gazeta Zëri.

Fshatrat e Malësisë së Bujanocit, Suharna, Zarbica, Pribovci, Novosella, Muhoci, Çarri e shumë të tjera, ato të fushës së Moravës, Konçuli, Lluqani, Nasalca, Letovica e deri në Dobrasin, të Malësisë së Karadakut të Preshevës, Depca, Ilinica, Caravajka, Renatoci, Buhiqi e shumë vendbanime të tjera, sikur edhe qytetet shqiptare në Kosovën Lindore, janë ngjitas me komunat e Anamoravës, por tashti e kanë shumë më të vështirë komunikimin, ngase qytetarët e Luginës së Preshevës janë të detyruar që të paguajnë policat e sigurimit për hyrje në Kosovë e që kanë vlerën e 40 eurove në muaj. Shumë nga qytetarët e atjeshëm, duke mos pasur mundësinë e pagesës, ngase shumica prej tyre janë të papunë, po mundohen të gjejnë edhe forma të tjera për t’i ikur këtij detyrimi, duke kaluar nëpër rrugë ilegale, por që në momentin kur po kapen nga Policia e Kosovës, dënimi për ta është i pashmangshëm.

Sejdullah Kadriu, kryetar i Shoqatës të të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra” me seli në Gjilan, thotë se një taksë e tillë për shqiptarët është e pakuptimtë, e panevojshme dhe e atillë që duhet të hiqet menjëherë, ngase siç thotë ai, shqiptarëve të Luginës së Preshevës po u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë. Shumë shqiptarë të atjeshëm që gati çdo ditë vinin në Gjilan, për të vizituar familjarët, për mjekim, shkollim a nevoja të tjera, tashti vijnë më rrallë. Ai ka kërkuar heqjen e tërësishme të policave të sigurimit që tashti janë në aplikim, sikurse që ka kërkuar zgjidhje edhe për shumë qytetarë që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë e që nuk kanë asnjë lloj dokumenti.

Heqjen e kësaj takse e ka kërkuar edhe Lutfi Haziri, deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili ka theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë lidhje familjare të kahershme me qytetarët e Kosovës. Haziri, ka thënë se me letërnjoftim qytetarët e Luginës së Preshevës mund të shkojnë në Shkup e Kumanovë, por jo edhe në Kosovë, shkaku i taksës. Ai ka thënë se qytetarët serbë shfrytëzojnë dy lloje të tabelave e të tretat i mbajnë në bagazh dhe ka kërkuar që të mos shkelen të drejtat civile të qytetarëve të Luginës së Preshevës, por se kujdesi për ta duhet të jetë i njëjtë, mu ashtu siç i trajton Gjilani qytetarët e Dardanës, Vitisë, Artanës.

“Shqiptarët nga komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, që tash e sa kohë jetojnë në Gjilan, do të duhej që së paku të pajisen me letërnjoftime të përkohshme”, ka thënë Lutfi Haziri, i cili duke bërë një paralelizëm me atë se si po trajtohen këta qytetarë, ka thënë se interesat serbëve të Kosovës shkuan në Bruksel e interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u dërguan në Zyrën Rajonale në Vrajë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›