Kufirin e kalojnë mbi 20 mijë persona

Policia e Kosovës kohën e fundit ka shtuar numrin e patrullimeve nëpër rrugë pasi që është rritur shumë edhe numri i pjesëmarrësve në trafik. Sipas të dhënave policore, vetëm dje në pikat kufitare me Shqipërinë kanë kaluar mbi 5 mijë makina dhe mbi 20 mijë persona.
Janë mërgimtarët, por edhe qytetarët e tjerë që dalin për pushime, të cilët kanë rritur numrin e personave që po evidentohen në hyrje dhe dalje të pikave kufitare të vendit.
Vetëm gjatë këtij vikendi, përkatësisht ditën e shtunë, policia ka evidentuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë gjithsejtë 5949 hyrje dhe 5311 dalje të veturave, me ç’rast janë regjistruar 21966 persona.
“Policia në kuadër të planit zhvillimor strategjik 2011-2015 ka paraparë në objektivat e saj që edhe gjatë sezonit së verës të ketë plane konkrete si në kuadër të policisë kufitare për ngritjen e masave shtesë me personel në pikëkalimet kufitare. Kryesisht në ato pika kufitare ku pritet fluksi më i madh i ardhjes së bashkatdhetarëve gjatë sezonit së verës, në mënyrë që t’u mundësohet një kalim me pritje më të shkurt në pikëkalimet kufitare”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, toger Baki Kelani.
Sipas tij, në pikëkalimet kufitare tani është duke u zbatuar marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar më parë në mes të Policisë së Republikës së Kosovës dhe Policisë së Republikës së Shqipërisë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, gjatë 3 muajve të sezonit turistik veror kontrolli i hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri të ushtrohet vetëm në njërën nga pikat doganore, duke përfshirë këtu edhe patrullimin e përbashkët të të dy policive (asaj të Kosovës dhe Shqipërisë).
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe hapat që ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, e sidomos atyre me pasoja fatale. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës këtë vit ka rënie të aksidenteve me fatalitet.