Kufizimi i mediave, ministri i Drejtësisë jep dorëheqjen

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes
Kodi i ri Penal, Presidenca e Kosovës: Shënuam një hap mbrapa.
Thaçi: Ndihem i turpëruar, qeveria nuk i miraton nenet.
Kuvendi i Kosovës miratoi dje Kodin e ri Penal së bashku me nenet 37 dhe 38, të cilat kufizojnë lirinë e medias, duke detyruar ministrin e Drejtësisë në vend, Hajredin Kuçin, që të japë dorëheqjen. Kuçi ishte kundër ndrydhjes së lirive për mediat dhe lirinë e shprehjes dhe kishte premtuar se nëse Kuvendi do ti miratonte nenet e debatueshme, ai do të jepte dorëheqjen. Hajredin Kuçi e ofroi dorëheqjen e tij nga dy postet drejtuese, si ministër i Drejtësisë, por edhe si zëvendëskryeministër i qeverisë së Kosovës. Në konferencën për media, ai tha se beson që Kryeministri do ta pranojë këtë dorëheqje pasi ai dëshiron njerëz, përveçse me autoritet politik, edhe me atë moral, ndërsa nenet 37 dhe 38 i ka quajtur të famshme. Kuçi shtoi se do jetë aktiv si profesor universiteti si dhe aktivist në PDK, ku është nënkryetar. Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë tha se ndihet i turpëruar që në Kuvendin e Kosovës është miratuar Kodi i ri Penal bashkë me nenet 37, 38 dhe 39, që kanë të bëjnë me lirinë e mediave. Ai e quajti dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si vendosje e një diskursi të ri politik në skenën kosovare, atë të përgjegjësisë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Kuçi u ka dhënë një leksion të gjithëve dhe ka vendosur një normë të re në skenën politike kosovare, institucionale, atë të përgjegjësisë shtetërore dhe morale, ka thënë ai. Thaçi tha se asnjëherë nuk do të pajtohet me nene të tilla, që krijojnë frikë te mediat. Ai kujtoi se komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile, Presidentja dhe ministri i Drejtësisë Kuçi, kanë shprehur qartë papajtueshmërinë e tyre me këto nene dhe kanë pasur edhe mbështetjen e tij të plotë. Thaçi vendosi të procedojë me Kodin e ri Penal të Kosovës pa nenet 37, 38 dhe 39 dhe për këtë vendim mori mbështetjen e të gjithë ministrave të kabinetit të tij. Edhe Presidenca e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e thellë me dështimin e këtij institucioni për të votuar ndryshimet e nenit 37 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës, që kanë të bëjnë më lirinë e medias. Në një prononcim për televizionin publik të Kosovës, Arbër Vllahiu, këshilltari për media i Presidentes Atifete Jahjaga, shprehu zhgënjimin që deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe komuniteti i gazetarëve nuk kanë arritur të akomodojnë kërkesat e njërës dhe të palës tjetër. Kemi shënuar një hap prapa në këtë çështje, theksoi ai. Vllahiu ka thënë se aktualisht po shqyrtohen mundësitë ligjore e kushtetuese për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar.
Zhbogar: Jam i zhgënjyer me ligjin

Samuel Zhbogar
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se është i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të mbajtur në fuqi nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat kufizojnë lirinë e medias. Sipas tij, nenet në fjalë janë në kundërthënie me konventat e BE-së, që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit. Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë, tha ai, duke rikujtuar se BE-ja mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës. Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë provizionet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre, ka shtuar ai.
Unioni
Unioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim miratimin e Kodit Penal të Kosovës bashkë me nenet 37 dhe 38, të cilat e cenojnë lirinë e medias. Sipas UGK, miratimi i këtyre dy neneve të Kodit Penal është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. UGK i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që të fillojë sa më shpejt procedurat e modifikimit të Kodit Penal, me theks të veçantë të pikave 37 dhe 38.