Kufizohet me ligj ndërtimi mbi tokat bujqësore
Kalimi i tokës bujqësore te privati nuk solli shfrytëzimin e duhur për sektorin, dhe për këtë qëllim qeveria ka vendosur limite për objektet që do të ndërtohen. Aktualisht, 80 për qind e tokave është në dorë të privatit dhe pjesa e mbetur administrohet nga shteti, kurse nga statistikat mesatarja e tokave për banorë në krahasim me vendet e tjera është nën nivelin e lejuar, kjo për shkak të shfrytëzimit pa kriter, duke e dëmtuar atë. Për këtë qëllim qeveria do të krijojë një drejtori të re për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokave (DAMT). Projektligji ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të diskutohet nga grupet e interesit.
Masa e pjesëmarrjes së qeverisjes qendrore në emërimin dhe vlerësimin e drejtuesve të DAMT-ve bëhet duke respektuar gjithnjë përbërjen shumicë të këshillit të qarkut, në numrin e anëtarëve të komiteteve “ad-hoc”. Ky përmirësim do të çojë në qëndrueshmërinë e përbërjes së kësaj strukture, në një vlerësim real të cilësive tekniko-shkencore dhe në një rritje të nivelit të përgatitjes të
specialistëve, që do të rekrutohen, në të ardhmen, në këto pozicione.
Për shkak të lëvizjeve intensive demografike, të mungesës për një periudhë relativisht të gjatë të një ligji të mirëfilltë të mbrojtjes të tokës bujqësore, të mosangazhimit dhe mosveprimit të strukturave të qeverisë vendore të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e tokës, të mos-harmozimit të drejtave dhe përfitimeve, që rrjedhin nga pronësia private për tokën me detyrimet dhe përgjegjësitë për mbrojtjen e saj nga poseduesit e ligjshëm, të tërheqjes së strukturave kompetente vendimmarrëse (KKRT-ve të komunave dhe/ose bashkive, KKRT-ve të qarqeve etj.) para presionit të interesave të njëanshme të bizneseve të ndërtimit etj., fondi i tokës bujqësore i është nënshtruar dëmtimit fizik në sipërfaqe të gjera. Kështu, nga përllogaritje të përafërta evidentohen të dëmtuara nga ndërtimet (me leje pa leje) rreth 20 mijë ha tokë, kryesisht të kategorive më pjellore të tokave të vendit tonë.
Kjo dukuri, për kushtet e vendit tonë, kur disponojnë një normë të ulët të tokës për banorë, përbën një shqetësim real për të tanishmen dhe për të ardhmen.
Evidentojmë se mesatarja e normës së tokës bujqësore, në shkallë Europe rezulton 4269 m²/banor, ndërsa në vendin tonë është 2250 m²/banor ose 47.3 për qind më pak(të dhëna të FAO-s). Veç kësaj, ndërtimet kaotike kanë shkaktuar një impakt negativ në fragmentarizmin e tokës, dëmtimin e peizazhit natyror dhe perspektivën e zhvillimit të turizmit në tërësi. Në pikën 1, të këtij neni shtesë, është përcaktuar që të lejohen ndërtime vetëm për objekte të cilësuara, duke shmangur dhe termin e përgjithshëm të paspecifikuar “raste të domosdoshme”, që figuron në nenin 6 të ligjit në fuqi “Për urbanistikën”. Pika 2 deri 5, të këtij neni, përcaktimet e kufijve të ndryshimit në ligjin nr.9385, datë 4.5.2006, “Për pyjet dhe shërbim pyjor”.
#