Kuijt akuzon Italinë: Na goditën me shkelma
Dirk Kuijt ka akuzuar lojtarët e përfaqësueses italiane për lojën e ashpër në miqësoren Itali-Holandë. Në veçanti, sulmuesi i Liverpulit është i zhgënjyer nga Kielini, për ndërhyrjen "shumë të keqe" ndaj Robin van Persit. Tulipani u shpreh i zhgënjyer nga dhuna e ushtruar gjatë sfidës së të shtunës së kaluar në fushë. "Natyrisht që jam i zhgënjyer", tha Kuijt. "Ishte një miqësore luksi, kundër një skuadre të madhe si Italia, por kur mendoj ndërhyrjet që ata shkaktuan trishtohem. Na goditën me shkelma me të gjithë kuptimin e fjalës. Viktimë e lojës së fortë të italianëve u bë Robin (van Persi), i cili u dëmtua pikërisht në momentin kur po kalonte një formë për t‘u pasur zili".