E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes flokët nga “extection-mania”



Kujdes nga mania për zgjatjen e flokëve me fije artificiale, sidomos kundrejt një çmimi të ulët. Në një kohë kur rritet numri i grave që kalojnë seanca të gjata nëpër floktore, për të zgjatur flokët, Shoqëria Britanike “Trichologial” vë alarmin kundër këtij procesi (“extension”-it). Sipas ekspertëve, gjithnjë e më shumë parukierë, ofrojnë këtë shërbim me çmime të volitshme, por jo të gjithë kanë aftësitë e nevojshme për të aplikuar zgjatjen në mënyrën e duhur dhe të sigurt për klientin. Rezultati? Sipas specialistëve të flokëve është shtuar numri i grave të reja me probleme me flokët dhe lëkurën e kokës.

Rreziqet

“Tek njerëzit që duan zgjatjen artificiale, zakonisht pritja është e madhe, është shprehur për BBC-në, Barry Stevens, kryetar i Shoqërisë Trichological, por ndonjëherë ajo përfundon në lotë” Para së gjithash, sepse në qoftë se flokët artificialë mbahen për një kohë të gjatë, “pasojat mund të jenë serioze: flokët mund të dëmtohen përgjithmonë,” siguron Stevens. Një studim i publikuar në Gazetën Britanike të Dermatologjisë, paralajmëron besniket e këtyre trajtimeve për rreziqet e mundshme. Sipas disa studiuesve ndërkombëtarë, problemet me flokët janë më të shumta nga ç’mund të imagjinohet. Për më tepër, edhe në mungesë të problemeve të dukshme, lëkura mund të ketë pësuar dëme. Stevens ka punuar me shumë gra që kanë nisur procese gjyqësore, për shkak se flokët e tyre janë dëmtuar nga zgjatjet artificiale. Një përvojë që çoi atë në përfundimin se zgjatimet që ngjiten, qepen, apo kapen me unaza metalike ‘duhet të ndalohen”.

Cilësia e flokëve

Veç të tjerash, “zgjatimet tërheqin flokët e vërtetë, janë të rënda, nuk e thithin ujin lehtësisht dhe mund të ngatërrohen lehtë”, shtojnë specialistët e flokëve. Për më tepër, fakti se ato janë kaq në modë, ka shtyrë shumë parukierë të ofrojnë me çmime të volitshme, flokë me cilësi të dobët. “Por kujdes, cilësia e flokëve” të përdorur “mund të bëjë një ndryshim të madh”, kujton Stevens. Shola Rose, parukiere në Londër, me 12 vjet përvojë thotë se “Nëse bën zgjatje, duhet ta bësh atë në mënyrë korrekte dhe duhet të tregosh kujdes sa në ndërrimin, aq edhe në pastërtinë e tyre. Parukieri duhet t’i thotë klientit kur duhet të ndalojë aplikimin dhe të bëjë një pushim. Vetëm profesionistët e kualifikuar duhet të aplikojnë flokët artificialë. Ajo është dakord me problemin e cilësisë së dobët të flokëve të ofruara me çmime shumë të ulëta. “Duhet të zhvillohet një monitorim dhe kontroll, mbi sigurimin e cilësisë së flokëve që përdoren për zgjatime”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›