E Diel, 1 Nëntor 2026

Ermira, avokatja e parë shqiptare në Itali



Ajo është nga ata shqiptarë që ia kanë dalë mbanë. Historia e saj është si e shumë të tjerëve. Ka një anije në të kaluarën e saj, me të cilën e ëma u largua drejt vendit fqinj. Pastaj largimi i saj nga Shqipëria. Një vend i ri, njerëz të rinj. Aty këtu ndonjë shprehje plagosëse, por edhe shumë ëndrra që rriteshin brenda saj, për t’u kthyer më vonë në një realitet të prekshëm. Ermira Zhuri i ka të gjitha të drejtat të krenohet, jo thjesht dhe vetëm sepse është e para shqiptare që është pranuar në urdhrin e Avokatëve Italianë, por sepse tanimë ka mundësi të ndihmojë shumë nevojtarë, si ajo dikur. “Gjendesha në radhë jashtë kuesturës, e shtypur mes pengesave dhe njerëzve këmbëngulës. Ishim të shumtë aty në zyrën e emigrimit, kërkonim përgjigje që nuk vinin. Kishte nga ata që nuk kuptonin gjuhën, apo nga ata që duhet të ktheheshin 3, 4, apo 5 herë. Në ato momente vendosa se kur ’të rritesha’ do të bëhesha avokate. ‘Do të ndihmoj këta persona’, i thashë vetes dhe ja ku jam”. S’është një ëndërr e adoleshencës ajo e Ermira Zhurit, e cila në moshën 15-vjeçare, e sapoardhur në Itali, donte të studionte për t’u bërë mësuese. “Por vitet e shkollës së mesme më ndryshuan mendim. Nuk më pëlqente sesi trajtoheshin mësuesit në Itali, shumë shpesh ndaj tyre shfaqet mungesë respekti”. Tashmë, në moshën 33-vjeçare, është një këshilltare juridike e vendosur. Merret me të drejtën e emigrimit. Siç konfirmon presidenti i avokatëve të Trevizos, Paolo De Girolami, në vitin 2005 ajo ishte jokomunitarja e parë që u regjistrua në “Urdhrin e Avokatit” në Itali. “E para në zonën e Venetos. Tani mungon pjesa e fundit. Po pres rezultatin e provimit të shtetit dhe pastaj do të jem avokate me të gjitha të drejtat”, thotë Ermira, një vajzë simpatike me flokë të gjatë kaçurrelë që i mbulojnë supet.
E përndjekur nga regjimi komunist, nëna e Ermirës niset drejt Italisë në fillimet e viteve ‘90. Ishte koha e barkave që, të mbushura me njerëz kapërcenin Adriatikun, të shtyrë nga shpresa për një jetë më të mirë. Ermira bashkohet me të dy vjet më vonë. “Bëra magjistraturën dhe pastaj Universitetin e Juridikut në Bolonja. Jetova duke punuar nëpër piceri në fundjavë dhe me bursa studimi. Ia dola mbanë dhe jam e lumtur”, tregon ajo. Ermira e adhuron Trevizon, qytet që më shumë se çdo tjetër, në vitet ’90 jepte mundësi për një fillim të ri, duke ofruar vende pune me shumicë. Nuk kanë munguar edhe rastet kur është ndierë keq, sepse nuk ishte italiane, madje ka marrë ndonjëherë edhe mesazhe kërcënuese. Por asgjë nga këto nuk do ta ndalte në premtimin që i kishte bërë vetes.
Viktimë diskriminimi?
“Jo, trevizianët nuk janë racistë. Më bëjnë të ndihem jo mirë shprehje të tipit ‘sot jam veshur keq, më duket vetja si shqiptare’, apo “ky është një jokomunitar”, si të bëhej fjalë për një person të kategorisë së dytë. Megjithatë e kuptoj mërzitjen e atyre që pësojnë një vjedhje. Edhe unë jam vjedhur dhe jam ndjerë keq. Por është e nevojshme t’i besosh drejtësisë”.
Përse atëherë ka aq shumë të burgosur të huaj? “Mendoj se është një pasojë e mungesës së integrimit: nëse je i padukshëm është më e lehtë të hysh në kontakt me personat e gabuar”.
Po çfarë duhet vërtet për një integrim të plotë? “Do të duhej një kurs i detyrueshëm gjuhe italiane dhe edukim qytetar”. Ermira Zhuri, pasi ka marrë nënshtetësinë në vitin 2008, ndihet më tepër italiane apo shqiptare? “Jam një shtetase italiane me origjinë shqiptare. Jeta ime është e gjitha këtu në Itali, pasi në Shqipëri nuk do të kisha pasur gjithë këto mundësi që më ka ofruar ky vend”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›