Pranvera në veshjet e Jona Muçës
SONILA MEROLLI
“Të jesh në modë, elegante, por në të njëjtën kohë edhe praktike. Prerje të larmishme, materiale delikate, ngjyra dhe stil”. Këto janë disa nga sugjerimet e stilistes Jona Muça. Teksa flet për detaje të hollësishme të stinës, stilistja na prezanton dhe me koleksionin e saj më të fundit, që pritet të prezantohet për publikun më 22 prill në ‘Tirana Fashion Week”. Një koleksion kushtuar femrës elegante në karrierë, personazheve të njohur të ekranit, por nuk mungojnë edhe veshjet për kategoritë e tjera...
Ngjyrat
E bardha, e zeza, pinku, ngjyrat e tokës janë kryefjala e veshjeve të koleksionit me stampën e Jona Muçës, por nuk do të mungojnë nuancat brenda familjeve të ngjyrave. “Jam e përqendruar tek bardhezia, kur këto të dyja ndërthuren në një lojë grafike, ose thjesht për kontrast. Preferoj shumë edhe ngjyrat e tokës, të cilat për sezonin pranverë–verë sjellin mjaft freski” shprehet stilistja. Duke iu referuar tendencave botërore, ajo shton se e bardha dhe e zeza, familja e ngjyrave të tokës, sigurisht të shoqëruara me ngjyra të lehta, si ajo krem, bluja, vjollca, pink mbizotërojnë ngado në pasarelat e modës, veçse çdo stilist luan me ngjyrat dhe nuancat e preferuara. Sipas saj, propozimet e ngjyrave për sezonin pranverë - verë 2010 janë sa elegante aq edhe diellore, dhe i japin sigurinë një femre. “Nëse në modë është një ngjyrë e caktuar nga ato që përmendëm më lart, unë sugjeroj mos të vishen kokë e këmbë me atë ngjyrë, mos ta teprojnë me bizhutë. Mjafton një aksesor ose një palë këpucë në të njëjtën ngjyrë. Një kombinim i tillë del jashtë realitetit, aq më tepër moda është delikate”, shpjegon stilistja, duke qëndruar sërish tek elementi ngjyrë. “Kur tendencat sjellin një ngjyrë që nuk ju shkon ose nuk ju pëlqen, një aksesor është më se i mjaftueshëm për të qenë në kufijtë e modës, pasi gjithnjë gjendet ndonjë detaj që mund t’u tërheqë’, sugjeron Muça. Ndërkaq, në këtë sezon nuk do të ngelen pas as ngjyrat neutrale, që do të futen në gardërobën tonë si ngjyra të reja. Të tilla ngjyra neutrale do të jenë: pëlhurë, lëkurë, perlë, ngjyrë bezhë, rërë. Sipas stilistëve të botës së modës, ngjyrat neutrale formojnë një paletë mjaft të bukur, që ndryshojnë shumë pak nga e bardha e pastër. Sipas stilistëve, janë me të vërtetë elegante dhe po të krahasohen me njëra-tjetrën ato japin një look të rafinuar.
Materialet
E rëndësishme për Muçën, është që copat të jenë të freskëta dhe të manovrueshme. Metrazhe të tipit zharse, shifon si dhe ato materiale të përdorshme dhe praktike janë të shumta në atelienë e saj. Nuk mungojnë as copat klasike; pambuku në orët e paradites, si dhe mëndafshi në orët e vona, megjithatë edhe tek materialet, Jona Muça ka rezervat e saj. “Nuk mund t’ua sugjerosh çdo trupi copat që janë në modë, por duhet t’ia përshtatësh. Për një femër me ca kile më tepër, nuk këshillohen assesi materialet e mësipërme, por duhen përdorur copa që e mbledhin trupin nga brenda, çka tregon disi linjat, duke shmangur e jo shënjuar defektet’ sqaron stilistja. Një tjetër alternativë që sjell stilistja këtë sezon janë materialet terital, kryesisht bardhezi, të ngjitura pas trupit me mëngët e sifonit që lënë mundësi ajrimi. Të jesh në modë, por gjithnjë në mënyrë elegante, në të njëjtën kohë edhe praktike Jona Muça e përligj nëpërmjet një xhakete për mesogratë, e cila mund të vishet nga të dyja anët, gri dhe lejla nga brenda, një element brenda modës.
‘Tirana Fashion Week’ ‘Rock elegant’ nga Jona Muca
Kush më mirë se ajo mund t’i njohë dhe t’i bëjë realitet dizajnot e ëndërruara nga femrat. Që kur ishte 15 vjeç, në gjurmët e së ëmës dhe gjyshes ajo stilonte veshje për vete dhe për të tjerë. Tanimë eksperiencën dhe pasionin e saj Jona Muça e prezanton në koleksionin ‘Femra në karrierë’, më datën 22 prill në javën kryeqytetase të modës. ‘Bëhet fjalë për një koleksion që i përket alta-modës, pasi një të tillë e bën copa, shifoni. Jo të gjithë përdorin materiale cilësore, pa anshkaluar kombinimin e stilit”, rrëfen stilistja duke shtuar, “Ideja që dua të përcjell në koleksionin e ri, është sesi do të vishet femra në të ardhmen e afërt, sesi duket femra futuriste’, sqaron Muça konceptet e veshjeve sezonale. Një tjetër element i rëndësishëm i këtij koleksioni janë veshjet e propozuara nga stilistja nën siglën ‘rock-elegant’. I është rikthyer viteve të veshjeve rock, kryesisht të zeza, të shoqëruar me aksesorët pafund e rripa. “Propozoj një femër paksa më të rritur, të përqafojë këtë tendencë, sigurisht të sjellë në kohë. Një kombinim i mundshëm është një veshje në ngjyrën e zezë, thyer me një rrip paksa rock, me një zinxhir, një palë çizme gjysma me perçina dhe aksesorë të ndryshëm”. Sipas saj, çka përbën veçantinë janë format e ngjitura pas trupit, dhe me supe tejet elegante. “Duke qenë se synimi im është të sjell imazhin e një femre sensuale, kam përdorur materiale zharso, sifone”, thotë stilistja. Stili ‘rock–elegant’ ka qenë dhe ‘arma’ joshëse e stilistes, ndaj disa prej emrave më në zë të muzikës, por edhe personazheve të ekranit i kanë besuar asaj pamjen e tyre. Koleksioni nuk nis e mbaron për ‘femrat në karrierë’, por është konceptuar për disa grupmosha, që ajo i ndan si më poshtë: “Koleksionin që pritet të prezantojmë po e realizoj në bashkëpunim me dy fëmijët, Frensin dhe Arionin, dhe bashkëshortin, duke përfshirë kësisoj shijet e gjitha grupmoshave. Nuk mund të bëjmë modë vetëm për një moshë, po për të kënaqur të gjithë. Propozimet nga e gjithë familja mendoj se i ka përfshirë të gjithë dhe kushdo mund të gjejë veten në markën time’, përfundon Muça.