Blerina Kazaferri - Politikën ndaj ndodhive të moshës
Në drejtime të caktuara, disa njerëz janë të dallueshëm! Duket sikur fati, qysh herët, u ka parashkruar vijimësinë. Nuk duhet të kalojnë shumë vite për ta kuptuar këtë, mjafton të kenë kaluar klasat e para të shkollës për të vënë re një farë prirjeje për të qenë në qendër të grupit të shokëve. Përfshirja në biseda, angazhimi me të gjithë, prirja për të qenë, fare natyrshëm, në qendër të grupit, i bën të jenë të ndryshëm nga fëmijët e tjerë. Për pasojë, zëri u dëgjohet më shumë, në aktivitet e shkollës (edhe vite më vonë atyre fëmijnoreve) janë gjithnjë në krye. E si për ta përforcuar atë idenë e fatit të parashkruar, nisin e kërkojnë gjëra edhe të mëdha se sa thjesht të ndejturit mbi kokë të një grupi nxënësish që duhet të kalojë me sukses në olimpiadën e radhës. Madje, mbledhjet rinore mes nxënësish, gati e humbasin rëndësinë, sepse horizonte të tjera hap rruga përpara...
Kështu, përfshirë nga energjia dhe ritmi tjetër i ditës që të japin të rinjtë e sapo hyrë në të panjohurat e politikës, u bë pjesë aktivistja e LRI, Blerina Kazaferri.
* * *
Asokohe, në vitin 2001, ishte gjimnaziste në vitin e dytë kur mori ngacmimin e parë për të qenë pjesë e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar. Ca për impuls të moshës e ca sepse gjithëherët kishte qenë e prirur të ishte pjesë aktive e problematikave që haseshin jo pak në shkolla, nuk u mendua gjatë për t’u bërë një nga anëtaret e këtij forumi që përfshihu njëherazi jo pak të tillë. Nuk është që me t’u bërë pjesë e saj, ndryshoi bota, megjithatë u përball e mësoi jo pak gjëra të panjohura. Një nxënëse të moshës së saj, nuk i qëllonte përditë të bëhej pjesë e fushatave elektorale. Përveç angazhimit të tillë, siç do ta përforconte ndjesinë edhe kohë më vonë, Blerina u përfshi më së shumti emocionalisht. Megjithatë emocioni nuk u përforcua menjëherë më pas. Prindërit, për shkak se vetë nuk kishin qenë ndonjëherë më parë pjesë e këtyre rretheve, kishin ndikimin të parë me jo pak skepticizëm për çështjet politike. Sidomos nëse bëhej fjalë për vajzën e tyre të vetme. “Këmbëngulën jo pak. Tani nuk e di nëse ishte për shkak të tyre apo sepse kështu ishte e thënë të rridhnin gjërat, por në katër vitet në vazhdim nuk u angazhova më”. Pasi ka kaluar dy fushata intensive elektorale, tani, Blerinës i duket e largët ajo kohë.
Po aq rastësisht sa ç’ishte bërë pjesë e FRESSH-it herën e parë, ndodhi edhe të dytën kur i ra në duar formulari i LRI-së, që, kësaj here vendimi për t’u bërë anëtare, vetëm për impuls të moshës që nuk ishte.
* * *
Kontakte të reja, shkëmbime përvojash, qëllime të përbashkëta të cilat një grup të rinjsh, përreth një tryeze, i kthejnë menjëherë në qëllime primare të ditës. As nuk ankohen, as lodhen ndonjëherë pse duhet ta kalojnë natën duke u endur rrugëve të cilitdo qyteti të Shqipërisë për të ngjitur postera, për të përhapur të njëjtën frymë në të cilën ata vetë besojnë fort. Blerina kishte nisur të studionte në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kur u bë anëtarja më e re e LRI-së, zëri i së cilës u dëgjua në Konventën e LSI-së në 2006-ën. Nëse moshatarët e saj shijonin edhe kotësinë e një ore ku profesori nuk dukej, Blerina e shfrytëzonte për, siç thotë ‘të dukej njëherë andej nga LSI-a”. A i vinte keq? “Jo, nuk më vinte keq, e dija që humbisja ndodhitë përtace të moshës ama kompensoheshin nga miqtë e tjerë me të cilët rrija”.
Dhe këtyre të tjerëve, vetëm energji që nuk u mungonte. Për më tepër që rrinin aq gjatë bashkë sa asnjë orar shkolle nuk do të ofronte më shumë.
Katër vjetët e anëtarësimit, e bën shpejt anëtare të kryesisë e sekretare ndërkombëtare. Ajo që kishte nisur si rastësi, si një angazhim më shumë i pasditeve të lira, ishte kthyer tashmë në qëllim. Hap pas hapi, për Blerinën , politika po bëhej pjesa më e rëndësishme e ditës. Sepse të mos ishte kështu, të mos i ishte vënë e gjitha, nuk do të rezistonte gjatë. Kjo ishte mënyra që e ndihmoi për t’i hapur mundësi vetes, për të krijuar kontakte me emra e njerëz të rëndësishëm të politikës.
* * *
Në kohëra fushate, siç ishte ajo e fundit në Dibër, ku Blerina qëndronte pranë kandidates për deputete Monika Kryemadhi, dukej fryma e punës që bashkonte grupin e të rinjve. Flisnin vetëm për banorë të atij e këtij fshati, numëronin hipotetikisht vota, shihnin lajme. Ndryshe miqtë e tyre kishin nisur plazhin, ata jo vetëm që nuk e çonin nëpër mend, por kishin qëlluar edhe në vend malor!
Tani kohërat janë më të qeta, i kanë kompensuar të gjithë rropatjet e ditëve e netëve të gjata. Ka vërtet organizime të herëpashershme, siç është tubimi rinor për integrimin e Shqipërisë, që do të zhvillohet nga të rinjtë e LRI, në fillim të Majit në Pallatin e Kongreseve, por kjo nuk është asgjë po të kujtojnë fushatën e shkuar.
Qëllime politike? Rruga e Blerinës për andej është drejtuar, sepse disa njerëz, janë menjëherë të dallueshëm...