E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdes korrupsionin dhe pronat

14/01/2009  Raporti i “Heritage Foundation” dhe të përditshmes prestigjioze “The Wall Street Journal”

“Liria financiare dhe ajo e investimeve renditen më lart se nivelet tipike të vendit”

Në raportin e fundit mbi lirinë ekonomike në botë nënvizojnë se Shqipëria renditet në vendin e 62-të ndër 180 shtete, në indeksin e vitit 2009. Sipas raportit, liria ekonomike e Shqipërisë ka shënuar 63.7 pikë, ku niveli i lirisë është rritur me 1.3 pikë gjatë vitit të kaluar dhe përfshihet në 3 nga 10 vendet me ekonominë më të lirë. Sipas këtij raporti, vendi ynë renditet i 27-i ndër 43 vende të Evropës. Duke iu referuar raportit, niveli i lirisë në Shqipëri pozicionet në të njëjtin hap me shtete të tjera të zhvilluara të Ballkanit, si Kroacia dhe Maqedonia. Liria fiskale, lira e investimeve dhe ajo financiare renditen në mënyrë domethënëse më lart se nivelet tipike të vendit. Raporti thotë se kohët e fundit Shqipëria ka adoptuar masën 10% të taksimit si për individët, ashtu dhe për sipërmarrjet, ndërkohë që qeveria është përqendruar në zhvillimin e një strategjie ekonomike që ushqehet nga sektori privat. Gjithsesi, raporti nënvizon faktin se rezultatet e Shqipërisë kanë pësuar një dobësim nisur nga problemet e pronësisë dhe korrupsionit. “Pastrimi i parave, - thuhet në raport, - mbetet një problem domethënës në ekonominë e bazuar në paratë cash”. Problemet mbi pronësinë vijnë si rezultat e ndërhyrjeve politike në sistemin gjyqësor, që sjell parregullsi në fuqizimin e ligjeve. Me gjithë disa përmirësime, liria e biznesit në Shqipëri mbetet e sforcuar nga një mjedis rregullues jofleksibël. Sipas raportit, niveli konkurrues i taksave rriti stimulin e sipërmarrësve dhe punëtorëve. Shpenzimet e qeverisë, përfshirë konsumet dhe pagesat e udhëtimeve, janë të moderuara. Gjatë vitit të kaluar qeveria ka shpenzuar 28.5% të PBB-së. Inflacioni është relativisht i ulët, mesatarisht 2.7% ndërmjet viteve 2005 dhe 2007. Qeveria vijon të mbikëqyrë çmimet përmes agjencive rregullatore. Firmat vendase dhe të huaja trajtohen njësoj nga ligji dhe pothuajse të gjithë sektorët janë të hapur për investime të huaja. Raporti thotë se të huajt nuk ndalohen të blejnë apo zotërojnë prona. Megjithatë, rregulla jotransparente, burokracia dhe korrupsioni dekurajojnë investimet e huaja. Sektori financiar është rritur shpejt gjatë viteve të fundit, ku vihet re dominimi i bankave të huaja me 90% të të gjitha aseteve në vitin 2007, ndërkohë që në vitin 2003 pothuajse arrinin 50%. Qeveria ka ndarë Bursën e Tiranës nga Banka Qendrore, por bursa mbetet inaktive dhe aksionet ende nuk janë të listuara. Raporti shprehet se liria ekonomike në Shqipëri pozicionohet mbi mesataren botërore dhe është rritur gjatë viteve, një arritje e rëndësishme në një rajon të karakterizuar nga mungesa e stabilitetit dhe fragmentarizimet politike.

Liria e biznesit 67.0

Liria tregëtisë 75.8

Liria fiskale 92.8

Shpenzimet qeveritare 75.6

Liria monetare 79.6

Liria investimeve 70.0

Liria financiare 70.0

E drejta mbi pronën 30.0

Liria nga korruprioni 29.0

Liria e punës 47.2

Drejtësia shqiptare

Në raport theksohet se sistemi gjyqësor shqiptar është një ndër hallkat më të tendosura të vendit. Gjyqtarët shpeshherë caktohen vetëm në bazë të arsyeve politike dhe mund të korruptohen. Krimi i organizuar mbetet një pengesë për një administratë efektive të drejtësisë. Raporti thotë se gjykatësit janë subjekt të kërcënimeve, presioneve, korrupsionit dhe reformat në drejtësi mbeten shumë të ngadalta. Mbrojtja e së drejtës së autorit është e dobët dhe dhunimet e kësaj të drejte janë të shpeshta. Raporti nënvizon se korrupsioni është i dallueshëm dhe i përhapur. Shqipëria mbetet vendi kryesor i transitit për trafikimin e armëve, lëndëve narkotike, kontrabandës dhe qenieve njerëzore. Raporti nënvizon se e drejta mbi pronën nuk është e përcaktuar qartësisht, në mënyrë të veçantë në bregdet. Sipas raportit, 70% të gjyqeve civile janë për çështje pronash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›