Berisha: Në zgjedhje, me karta identiteti
Pajisja e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të pakontestueshme në qershor të 2009-s. Këtë garanci dha dje Kryeministri Sali Berisha në ditën e parë të aplikimit të shtetasve për pajisjen e tyre me dokumentet biometrike. Në qendrën e aplikimit të njësive 3 dhe 4 në Tiranë, Kryeministri përshëndeti dje interesimin e madh të qytetarëve për pajisjen me dokumente të sigurisë së lartë. "Qytetarët e këtij vendi pajisen me dokumente të cilësisë më të lartë për identitetin e tyre. Dokumente, të cilat do t’u duhen dhe do t’i lehtësojnë ata në çdo akt ku nevojitet identifikimi i tyre. Dokumente, të cilat do t’u duhen dhe i lejojnë ata të udhëtojnë të qetë për identitetin e tyre në të katër anët e botës. Procesi po ecën tërësisht sipas programimit”, - deklaroi z. Berisha. Ai vuri në dukje se procesi është dhe në një mision tjetër shumë të rëndësishëm, në mundësimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me infrastrukturën më moderne të identifikimit të zgjedhësve, listat elektronike, sistemin tërësor të ri të adresave dhe dokumentet elektronike. Procedurat e aplikimit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka nisur fillimisht në Tiranë me 61 qendra aplikimi dhe do të shtrihet paralelisht në të gjithë vendin, ku do funksionojnë 400 qendra aplikimi. Berisha inkurajoi për më tej interesimin e madh që kanë treguar që në ditën e parë të hapjes së procesit të regjistrimit për marrjen e letërnjoftimeve, si dhe i inkurajoi ata edhe më tej në këtë proces. Duke iu referuar vizitës së tij dje në një nga qendrat e kryeqytetit, që operon për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Kryeministri siguroi se agjencitë përgjegjëse për këtë proces do të shqyrtojnë çdo ditë veprimtarinë e tyre, për ta përmirësuar akoma më tej këtë proces që ka nisur mbarë. “Sot ka qenë dita e parë e këtij procesi dhe më informojnë se deri në orën 10:00 kanë mbaruar kuponët e regjistrimit, të cilat i emeton një kompani franceze. Ajo do të prodhojë edhe më shumë kuponë, në mënyrë që t’i përgjigjemi këtij interesi shumë të lartë të qytetarëve”, - tha Kryeministri Sali Berisha.
Përgjysmimi i tarifave
Qeveria do të krijojë mundësinë që studentët ta marrin letërnjoftimin me çmim të përgjysmuar, ndërkohë që për shtresat në nevojë kjo tarifë do të ulet me 70 për qind. Po në mbledhjen e djeshme të komitetit ndërministror për integrimin, që përkoi me fillimin e regjistrimeve për marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, të teknologjisë më të lartë në Evropë, Berisha lajmëroi se studentët do të marrin kartat e identitetit kundrejt gjysmëçmimit të caktuar. Kryeministri vuri në dukje se qeveria ka vendosur masa gjysmëdetyruese dhe detyruese për pajisjen me këtë dokument, por këtë gjë e ka bërë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në tarifën për marrjen e këtij dokumenti, duke u shprehur: “Qeveria, me vendim qarkullues, do të përcaktojë tarifat e reja. Si fillim kemi ulur me mbi 30 për qind çmimin për marrjen e këtij dokumenti, kemi hequr TVSH-në e letrës. Pra, janë bërë disa hapa, por do të ndërmerren edhe hapa të tjerë ndaj atyre shtresave që janë më në nevojë. Studentët do ta marrin këtë kartë me çmim të përgjysmuar. Krahas tyre, edhe kategori të tjera do ta marrin me gjysmë çmimi, ndërsa familjeve me ndihmë ekonomike u takon ta marrin me rreth 30 për qind të çmimit, në një kohë kur çmimi real është 14-15 mijë lekë”. Sipas tij, ky dokument nuk mund dhe nuk duhet të shpërndahet falas, sepse kjo rrugë është mënyra më e sigurt për abuzivitet, por nga tjetër, ky është një çmim ndër më të ulëtit që mund të ketë praktikuar ndonjë vend.
LSI: Kartat e identitetit të jepen falas për disa kategori
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje nga qeveria shqiptare që të heqë penalitetet për qytetarët për pajisjen me kartat e identitetit. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se qeveria duhet t’i ofrojë kartat e identitetit falas për disa shtresa të caktuara të popullsisë në Shqipëri. “Rreth 29 për qind e shqiptarëve jetojnë sot nën nivelin e varfërisë, pra jetojnë në një varfëri të plotë, është pra 29-30 për qind pjesë e të gjithë popullsisë shqiptare, për të cilën ne i kërkojmë qeverisë të mos kërkojë pagesë dhe t’ia afrojë kartën e identitetit falas. Pra, kjo është një shtresë e shqiptarëve që nuk e përballon dot pagesën për kartat e identitetit”, - tha ai. Njëkohësisht ai kërkoi që edhe pensionistët duhet ta marrin kartën e identitetit falas. “Janë 500 mijë njerëz, të cilët nuk mund të paguajnë koston e lartë të kësaj karte identiteti, të papunët nuk e paguajnë dot këtë kosto, njerëzit që janë në listat e qeverisë për ndihmë ekonomike, apo për pagesë paaftësie dhe invaliditeti duhet ta marrin kartën e identitetit falas, por edhe studentët duhet ta marrin kartën e identitetit falas”, - shtoi Prifti. Ai vuri në dukje se për këto shtresa të qeverisë, LSI i kërkon qeverisë që të mblidhet dhe të vendosë nëpërmjet një vendimi që të përballojë koston e kartave të identitetit të këtyre shtresave të popullsisë në vend.
PS: Qeveria, pa plan organizimi për shpërndarjen e kartave
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë shqiptare për mungesë organizimi të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. PS ka pritur mbylljen e orarit zyrtar të gjendjeve civile në qytetin e Tiranës, për të dalë në përfundimin se nuk mund të konsiderohet sukses kur që në ditën e parë këto zyra u përballën me radhë të gjata qytetarësh. “Sali Berisha kërkon përfundimisht të gënjejë vetveten, opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, përderisa quan sukses të qeverisë edhe disa radhë qytetarësh në Tiranë. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë plan për prodhimin e shpërndarjen në kohë të kartave të identitetit, për lehtësitë e domosdoshme që u duhen krijuar pensionistëve, të papunëve, të sëmurëve, bujqve, studentëve, e të tjera kategorive që nuk përballojnë dot çmimin e kartave”, - deklaroi kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj. Sipas tij, qeveria ende nuk ka një plan për koordinimin e të gjithë aktorëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për demokracinë. “Sali Berisha duhet ta ketë të qartë që pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ne jemi gati t'i ofrojmë planin tonë që garanton sukses, ndërkohë që procesi pa plan i qeverisë është i dështuar”, - përfundoi Baraj.