E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do t’i kërkojmë BE-së të përshpejtojë liberalizimin e vizave



Qeveria “Berisha” kërkon nga Bashkimi Evropian që të përshpejtojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje se qeveria e tij do t’i adresohet me një kërkesë zyrtare BE-së për përshpejtimin e këtij procesi. Në mbledhjen e djeshme të këshillit ndërministror për integrimin, bëri të ditur se kabineti qeveritar ka bërë gati një raport të detajuar me standardet që janë plotësuar nga qeveria, në bazë të kërkesave që ka BE-ja për liberalizimin e vizave. Ky raport u miratua pikërisht dje në mbledhjen e këtij komiteti dhe që do dorëzohet në Bruksel në datën 14 janar. "Në këtë mbledhje, komiteti ndërministror miraton një raport të rëndësishëm që ministritë dhe të gjitha agjencitë kanë përgatitur për të dorëzuar në datën 14 janar në Bruksel, në zbatim të detyrimeve që ne kemi për të përmbushur, për të arritur heqjen e vizave për lëvizjen e lire të qytetarëve shqiptarë në hapësirën e Bashkimit Evropian", - tha Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Berisha theksoi se ky proces po ecën në kursin e tij shumë të mirë, pas vizitës që bëri në Tiranë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, marrjes së pyetësorit nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, të dorëzuar nga drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian, shqyrtimit të të gjithë problematikës dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky pyetësor, nga të gjitha institucionet e vendit. Përgjigjet për këtë pyetësor kanë pasur një impakt qartësisht pozitiv, - u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi rëndësinë e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me Kartat e Identitetit, si një kusht në plotësimin e detyrimeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›