ILDKP dërgon në Prokurori tri zyrtarë për fshehje të pasurisë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht në organin e Prokurorisë tre zyrtarë, me akuzën e fshehjes së pasurisë. Në njoftimin për shtyp, ILDKP thotë se tri zyrtarët Petrit Mullaj, oficer i Policisë Tatimore në Sarandë, Nuri Vani, doganier në Doganën e Bllatës dhe Detar Hysi, anëtar i Këshillit Kombtëtar të Radio-Televizioneve nuk kanë mundur të justifikojnë me dokumente të ligjshme burimin e krijimit të pasurisë së tyre. “Më konkretisht, në formularët e subjektit Mullaj nuk figurojnë të deklaruara; 4400 m² tokë arë dhe rreth 30700 m² katrorë Pemëtore (në bashkëpronësi) në zonën e Çiflikut, Sarandë, si edhe rreth 300 m² truall e 79 m² sipërfaqe ndërtimi në zonën e Konispolit, po në Sarandë. Nga kontrolli i deklaratave të interesave private të subjektit Vani, si edhe nga veprimet verifikuese të kryera në funksion të hetimit administrativ, bazuar në nenet 17 e 26 të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003, ka rezultuar se; subjekti nuk ka deklaruar një shumë në vlerën 3 milionë lekë të reja”, deklaron ILDKP-ja. Në njoftimin zyrtar thuhej se Detar Hysi nuk ka argumentuar shuma të ardhurash. “Subjekti nuk mund të justifikojë burimin e krijimit të një shume të konsiderushme të ardhurash, të cilat arrijnë në vlerat e 7 milionë lekëve dhe 40 mijë dollarëve, të deklaruara në kohën që drejtonte Zyrën e Përmbarimit, Tiranë. Po ashtu, shtetasi Hysi, pasi rikthehet si subjekt deklarues, në pozicionin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve, deklaron para cash një vlerë monetare 150 mijë euro, të cilat, sipas deklarimeve në ILDKP, i ka krijuar nga aktiviteti i tij privat si avokat. Nga hetimi administrativ i ILDKP, rezulton se subjekti Hysi nuk ka qenë i regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve deri në Shtator 2007, por që edhe më pas nuk ka paguar detyrimet tatimore”, përfundon njoftimi i ILDKP-së.