E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria, pjesë përbërëse e botës frankofone

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar Shqipërinë si
një pjesë të rëndësishme të botës frankofone.
Duke folur gjatë një ceremonie me rastin e Pranverës
Ndërkombëtare të Frankofonisë, Kryeministri Berisha
vuri në dukje rëndësinë që i kushton qeveria shqiptare
nxitjes së vlerave të përbashkëta kulturore e
politike të frankofonisë. "Tradita frankofone, u shpreh
Kryeministri, dëshmon për prirjen e natyrshme të shqiptarëve
ndaj kulturave të tjera, aspiratës së tyre për
qytetërim dhe progres, dhe në këtë ditë homazhi u
drejtohet rilindësve të kombit shqiptar dhe mbarë
elitës së vendit, që përgjatë historisë kultivoi përmes
gjuhës frënge respektin ndaj multikulturalizmit dhe
njohjes së ndërsjellët". Duke e konsideruar
frëngjishten një vektor të përçimit të vlerave të gjithanshme
humaniste, Kryeministri solli në vëmendje
kontributet e disa frankofonëve të shquar të vendit,
si shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, shkrimtari
Fatos Kongoli, shkrimtari dhe ish-ministri i Punëve
të Jashtme, Besnik Mustafaj, të cilët përmes veprës
së tyre të përkthyer në Francë e gjetkë kanë ngritur
ura të vërteta komunikimi ndërmjet kulturave.
Kryeministri Berisha u shpreh se pranvera e sivjetme
e frankofonisë përkon me shpalljen e vitit 2008,
nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara, si Vitin e Dialogut Ndërkulturor dhe të
Multilinguizmit dhe nuk mund të ketë diversitet kulturor
pa një njohje legjitime të të gjitha gjuhëve, që
në Evropën e sotme materializohet më së miri me parimin
e multilinguizmit. Në kuadër të angazhimeve
të qeverisë shqiptare, Kryeministri Berisha shpalli
Vitin e Dialogut Ndërkulturor dhe të Multilinguizmit
në Shqipëri, që përkojnë plotësisht me objektivat
parësorë të frankofonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›