E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk ka show si rock show"!

Është e çuditshme të mendosh se vetëm dhjetë vjet më parë skena e rrokut në Shqipëri po përjetonte një sukses të vërtetë, ndërsa sot grupet e rrokut janë më tepër diçka "underground". Festivalet e kanë të vështirë t‘i kenë për konkurrues, shtëpitë diskografike e kanë të vështirë të nënshkruajnë kontrata me ta, e klubet e natës nuk janë të sigurt nëse një grup rroku është zgjidhja e duhur për një "xhiro" të suksesshme. Sidoqoftë, falë pasionit dhe talentit, grupe shqiptare rock kanë krijuar një bazë fansash të sofistikuar dhe pasionantë, që shfaqin dëshirën në rritje për komunikim nëpërmjet muzikës rock.

Koncertet rock në Shqipëri ndiqen si të askujt tjetër: ato janë live dhe plot energji. Edhe pse tregu muzikor ka ndryshuar, një gjë ka mbetur e vërtetë: Nuk ka show si rock show!

A ekziston rock-star-i shqiptar?

Figura mbi të cilën është ngritur kulti i kësaj muzike: rock-stari- është çelësi përmes të cilit duam të eksplorojmë kushtet aktuale të rock-ut në Shqipëri. Jo vetëm për ata që kanë qenë, por sidomos ata që po kërkojnë të kenë një skenë të tyren në Tiranën e sotme. Takimi me Ian Paice më 12 prill në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe koncerti i tij me Matt Filippini Band, organizuar nga ArtKontakt dhe Charl‘s Entertainment, ka si qëllim rishfaqjen e muzikantit rock-star në kushtet e krijimit larg komercialitetit. Kemi takuar Eugent Bushepepan, ose Genti i "SunRise", një nga grupet shqiptare që do të shoqërojë Ian Paice dhe Matt Fillipini Band, në koncertin e së shtunës më 12 prill në amfiteatrin "Kalvin".

A ka rock star shqiptar?

Shumë artistë shqiptarë janë përpjekur dhe për këtë i vlerësoj shumë, që të përcjellin imazhin e një rok-star-i te shqiptarët në fillimvitet ‘90...artistë: si Aleksandër Gjoka, Gentjan Demaliaj (Djemtë e Detit), Redon Makashi, Bledar Sejko etj. Mendoj se i vetmi motiv që i ka mbajtur të gjallë këta artistë dhe i ka bërë të ëndërrojnë të jenë rock-star dhe me aq sa popullsia shqiptare mund të të kuptonte nga ky aspekt ia kanë dalë, ka qenë pasioni i të luajturit rock përballë një rinie që sapo kishte shijuar notat e para të rockut. Pra, deri në një farë pike mendoj së Shqipëria ka pasur dhe do të ketë rock-star në sytë e vetë shqiptarëve.

Çfarë do të thotë të jesh muzikant rock në Shqipëri?

Të mbështetesh vetëm në pasionin për muzikën rock dhe të presësh komplimente vetëm nga ata që e ndiejnë me të vërtetë këtë rrymë muzikore. Është paksa e vështirë të përshtatesh me komercialitetin, por ia vlen të vazhdosh rrugën e atyre që me të vërtetë kanë luftuar për të na sjellë deri këtu.

Më thoni nëse një muzikant rock mund të planifikojë një karrierë të gjatë në Shqipëri, duke e lidhur me ndryshimet e kësaj skene muzikore gjatë dhjetë viteve të fundit?

Kjo varet vetëm nga personaliteti i vetë muzikantit. Nëse ka dëshirë të luftojë mund edhe t‘ia dalë. Ndërsa për sa i përket famës dhe karrierës, mendoj se gjithmonë do të konsiderohemi si pjesa e shfrenuar e muzikës shqiptare dhe gjithmonë do të kujtohemi për "veprat" tona muzikore vetëm pasi të na jetë harruar emri.

Problemi i krijimtarisë për një interpretues si ty: cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të krijimtarisë muzikore të zhanrit rock brenda muzikës shqiptare?

Meqenëse jam mjaft koshient për shijet e publikut shqiptar, shpeshherë mundohem që të krijoj, me aq sa mundem, gërshetime të muzikës rock me tema sociale "komerciale" që mund t‘i bëjnë përshtypje çdolloj shtrese muzikore shqiptare. Pikat e forta të kompozimit të rrymës rock si gjithkund janë mundësia për t‘i luajtur me mjaft lehtësi live, ndërsa si pikë të dobët të muzikës rock shqiptare mund të përmend vetëm se jo gjithkush mund ta preferojë ritmet "shfrenuese" të një kitare ose baterie të shthurur.

Çfarë do të thotë për ty të këndosh në një koncert nga muzikantët rock që kanë bërë histori gjatë shekullit të kaluar?

Çdo muzikant rritet me një ëndërr në sirtar. Të them të drejtën, të këndosh pranë artisteve që kanë thurur historinë e muzikës rock është e vështirë ta shprehësh ndjenjën e vetëvlerësimit që të kalon ndërmend në ato çaste. Të paktën unë e kam shumë të vështirë ta shpjegoj.

Si e njeh ti Ian Paice? Çfarë simbolizon ai për muzikën rock?

Një ndër bateristët nën ritmet e të cilit jam çjerrë dhe jam ekzaltuar disa herë ndërsa studioja muzikë. Mund ta quaj thjesht "Perlë e baterisë rock"

Çfarë të bën përshtypje nga jeta e një muzikanti si Ian Paice?

Mbështetja me ngulm e pasionit që ka për të shprehur vetveten në muzikën që me të vërtetë ndien, megjithëse ka mbi tridhjetë vjet që e luan.

Kur i ke kënduar për herë të parë Purple?

Në moshën 18-vjeçare jam përballur me një këngë "sfidë ndaj kordave zanore" të titulluar "Child in Time". Që nga ajo kohë kam nisur rrugëtimin si muzikant krah veprave perfekte të Deep Purple.

A je kurioz për përballjen me një publik që pret të dëgjojë muzikën dhe të shohë performancën e një prej më të mirëve të rock-ut në Tiranë?

Të falënderoj për vlerësimin. Të them të drejtën mezi po pres që t‘u përcjell njerëzve atë që me të vërtetë ndiej, ndërsa këndoj, megjithëse nuk është hera e parë që përballem me publikun rock kryeqytetas dhe jo vetëm.

A është e vërtetë shprehja: "Nuk ka show si rock show për ty?"

Rock-u është gjithçka që më ekzalton kur jam në një skenë...kur aty bashkëngjitet edhe ngrohtësia e publikut, atëherë ç‘të kërkoj më shumë nga jeta?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›