Projektligji i mazhorancës, 60 mijë prona vihen në hetim
Relatori Enkelejd Alibeaj thotë se do ndëshkohen përfituesit e padrejtë
Nisma e fundit e shumicës parlamentare është për hetimin e të gjithë titujve të pronësisë të lëshuar ndër vite nga Agjencitë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në rrethe. Drafti, me relator deputetin demokrat, Enkelejd Alibeaj,
parashikon rishikimin dhe hetimit e legjitimitetit të të gjithë titujve të pronësisë të lëshuar nga AKKP e rretheve, nga AKKP qendrore në Tiranë, e cila është në varësi të kryeministrit. Deputeti Alibeaj thotë se ligji i ri ndëshkon të gjithë përfituesit e pa drejtë të pronave. Sipas tij, ligji parashikon qartë se aty ku do të konstatohet shkelje, do të shqyrtohet dhe çështja do të kalojë në hallkat e tjera të trajtimit ligjor.
“Projektligji parashikon ndëshkimin e përfituesve të padrejtë të pronës. Në bazë të këtij ligji do shqyrtohen dosjet problematike dhe aty ku ka shkelje, ndëshkimi do jetë ligjor”, u shpreh deputeti Alibeaj.
Ai shtoi se me projektligjin e ri, drejtorit të AKKP i hiqet kompetenca e madhe në verifikimin e këtyre titujve. Alibeaj theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka shërbyer si bazë për hartimin e projektligjit të ri.
“Kushtetuesja ka konsideruar se vendimet e ish-AKKP nuk janë akte administrative, por i konsideron si akte të mesme. Akte të tilla lidhen me të drejtën subjektive private. Së dyti kushtetuesja AKKP nuk i konsideron organ administrativ. E drejta për shfuqizimin e një vendimi të AKKP do të bëhet kur ka një kërkesë nga një individ, i cili pretendon për një të drejtë pronësi dhe së dyti do të bëhet në bazë të një procedura qartësisht të përcaktuar”, u shpreh Alibeaj.
Deputeti demokrat Eduart Halimi shprehu mbështetjen ndaj nismës së paraqitur nga deputeti Alibeaj si dhe theksoi se ky draft pasqyronte vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ky projektligj është në harmoni me vendimin e Kushtetuese, ndaj bashkohem me mendimin e Alibeajt”, tha Halimi. Ai shton se ky draft, ndrydhe nga ai i pari që u rrëzua nga Kushtetuese, i heq shumë kompetenca drejtorit të AKKP. “Tani drejtori i AKKP nuk ka të drejtë të rishikojë vendimet e drejtorit të mëparshme të AKKP. Por, ky drejtor mund të rishikojë vetëm vendimet e ligjëruara nga AKKP e rretheve”, vuri në dukje Eduart Halimi.