“Loja” e Bashës, Ina Rama kërkon garanci për afatet e dosjes “Gërdeci”
Habjon Hasani
Tiranë - Odiseja dhe “spektakli” që shkaktoi dosja “Rrëshen-Kalimash” ka bërë që kryeprokurorja e Shqipërisë të marrë të gjitha masat që i njëjti spektakël të mos përsëritet dhe në rastin e dosjes “Gërdeci”. Dy ditë më parë kryeprokurorja u ka kërkuar drejtuesve të dosjes “Gërdeci” që të marrin të gjitha masat e nevojshme të kryejnë çdo veprim të mundshëm ligjor për t’u garantuar se nuk do të ketë “lojë kungulleshkash” me afatet e kësaj dosjeje. Ndërsa drejtuesit e grupit hetimor kanë bërë të qartë se do të përpiqen të “kopsitin” dosjen deri në afatin e saj në javën e tretë të marsit, kryeprokurorja u ka bërë të ditur se do ishte më mirë sikur puna të intensifikohej dhe dosja të ishte gati me të gjithë elementet e mundshëm deri në 31 shkurt. Kryeprokurorja, gjatë këtij takimi special me hetuesit e çështjes, ka kërkuar informacion të detajuar lidhur me zhvillimin e hetimeve ndërsa është informuar prej tyre se disa kapituj të kësaj dosjeje do të kenë nevojë që të investigohen edhe pas afatit. Kryesisht bëhet fjalë për pistën e trafikimit të armëve dhe të verifikimit të llogarive bankare jashtë vendit.
Gërdeci
Që pas shpërthimit vdekjeprurës më 15 mars në Gërdec, hetimi i kësaj çështjeje është shoqëruar vazhdimisht me dritëhijet e “luftës” së ftohtë për bllokimin e hetimeve. Pas dy muajsh hetimi paraprak dhe intensiv nga Prokuroria, më 3 qershor të këtij viti nga ambasadori amerikan do të vinte një deklaratë e fortë, e cila komprometoi publikisht rolin e qeverisë në raport me hetimet. Strumbullari ishte kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Pas mbërritjes së kësaj kërkese, kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një përgjigje Prokurorisë, të cilën zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit e quajtën si një “letër-horror”. Dukej sikur kryeparlamentarja ishte kthyer në gjykatëse duke i sugjeruar madje Prokurorisë se si duhej hetuar zoti Mediu. Pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Uidhers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çdo lloj përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi asokohe Uidhers.
Basha
Ndonëse veprimet antiligjore të Bashës ishin vërtetuar plotësisht, vonesat në kryerjen e disa procedurave rutinë po kanosnin afatet e hetimit. Prokuroria përfitoi një shtyrje afati prej një muaji, por kur ajo kërkoi dhe një shtyrje të dytë, kjo kërkesë iu refuzua nga gjykata duke i stopuar hetimet. Në këto kushte, kryeprokurorja doli publikisht dhe deklaroi se do ta apelonte këtë vendim, por ishte e detyruar ta respektonte për sa kohë ishte në fuqi. Pikërisht në periudhën e “tranzicionit të vendimeve”, Prokuroria e shpalli ish-ministrin Basha si të pandehur. Ky i fundit, nëpërmjet avokatit të tij, e quajti shkelje klasifikimin e tij si të pandehur në kushtet kur gjykata ia kishte ndaluar Prokurorisë të vazhdonte hetimet. E, për hir të së vërtetës, deri në momentin e vendimit të gjykatës, për Bashën nuk ishte firmosur asgjë. Por, pavarësisht “trukeve ligjore”, është i sigurt fakti se ministri Basha ka kryer me iniciativën e tij një zinxhir procedurash të jashtëligjshme, të cilat treguan se Ministria e Transporteve ishte totalisht jashtë loje dhe se projekte me kosto prej qindra miliona eurosh “kopsiteshin” sa nga zyra e Andi Tomës (ish-drejtor Juridik) deri te zyra e ish-ministrit Basha.
10 Janar 2009