E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujt i foli Edi Rama?



Nga Kreshnik Çollaku

Edhe pse nuk do të kisha marrë pjesë kurrë në një miting, i cili filloi me lot për një tragjedi dhe përfundoi me lëngun nëpër gojë të shkaktuar nga ëndrra për pushtet, në gjykimin tim, shfaqja e opozitës ishte në parametrat e një aktiviteti normal politik.

Sigurisht në Tiranë është fushatë e plotë zgjedhore. Është krejt normale që temperatura politike të jetë në ngritje. Është gjithashtu normale që kjo temperaturë të përcillet edhe më lart sa ç’është nëpër njerëz. Le të urojmë të mos mbërrijë piken e vlimit.

Janë ndarë krahët, janë ndarë kampet, janë ndarë armët, po ndahen njerëzit, po ndahen mediat, po ndahen bizneset, ka filluar të humbë etika në përdorimin e deklaratave të ndërkombëtarëve, ka filluar loja e sondazheve etj.

Sidoqoftë, çdo zgjedhje është një festë e bukur për demokracinë dhe duhet mirëpritur si e tillë.

Gjatë kësaj periudhe është në të drejtën legjitime të atyre që aspirojnë pushtet të paguajnë çdo çmim për ta pasur atë. Pagesat e pastra nderojnë, sikundër të pistat ndotin paguesit. Por sidoqoftë, në logjikën e betejave politike rëndësi ka rezultati dhe rezultati justifikon mjetin... le të urojme jo çdo lloj mjeti.

Duket se opozita, në dy blloqet e saj, thuajse në mënyrë të sinkronizuar, hapi me mitingje fushatat elektorale. Tema e përbashkët, jo për koincidencë, ishte Gërdeci. Nuk po gjykoj zgjedhjen e tematikës, e mesa duket edhe projektimin ku do mbështeten platformat politike e opozitave në këto zgjedhje.

Nuk po hyj të analizoj faktin se mënyra si u soll e po sillet mazhoranca e qeveria me këtë ngjarje është simetrike me atë çka do të bënte çdo mazhorancë e qeveri në çdo vend demokratik, po t’i ndodhte një aksident e një situatë e ngjashme.

Për klimën e ndezur elektorale në Tiranë do dukesha jashtë temperature po të pohoja atë çka besoj se Gërdeci është tashme një çështje që i takon drejtësisë, e deri sa ajo të flasë, politika duhet të heshtë.

Nuk po gjykoj efikasitetin e kësaj platforme elektorale që evokon një ngjarje tragjike, e as nuk është detyra ime si një qytetar i këtij vendi t’u kujtoj ideatorëve, se fushatat elektorale negative bazuara mbi tragjedi e përgjegjësi virtuale e të paprovuara, siç ndodhi me të majtën në fushatën e 2005-s, duke bërë kryefjalë “Ngjarjet e ‘97-s”, nuk kanë gjasa të dalin me bilanc pozitiv. Nuk është kjo as përgjegjësia e as dëshira ime. Madje kam krejt dëshirën të mirëkuptoj si edhe tendencën personale, të gjej elementet pozitive në ngjarje të tilla jo të parëndësishme.

Konkretisht në aktivitetin e opozitës ditën e diel kishte dhe elemente të tilla pozitive. Qetësia e manifestuesve ishte një element i tillë. Konceptimi për të përfshirë në protestë një territor të gjerë,nga Gërdeci në sheshin “Skënderbej”, ishte një përpjekje origjinale. Fjala përmbyllëse e Edi Ramës, gjithashtu m’u duk nga ana stilistikore e realizuar mirë. Dukej një dorë profesioniste në përgatitjen e saj. Antitezat e figurat letrare qenë përdorur në përgjithësi me eficensë. Por nga e tëra kjo, diçka nuk arrita ta kuptoja. Në fjalimin e Ramës, si një gozhdë që ngulej në çdo frazë të saj ishte koncepti, tashmë shumë në modë, “Ndryshimi”. Ndryshim, ndryshim... kudo ndryshim. Pika më e lartë e këtij premtimi për ndryshim ishte “ndarja përfundimtare nga të njëjtat fytyra që për 18 vjet kanë drejtuar politikën në vend”. Sigurisht tezë e fortë, por edhe shumë kontradiktore për t’u thënë në një çast dhe vend kur vetëm gjysmë metri pas shpinës së tij qëndronte një ish-ministër i Ramiz Alisë, një pjesëmarrës aktiv e i rëndësishëm i çdo qeverie të majtë, një ish-kryetar i Parlamentit që u poll nga një rebelim i armatosur.

Rama evokoi me stil ëndrrën evropiane të studentëve të dhjetorit ‘90, fraza “e pakicës me pushtet që përmbysi diktaturën” është sigurisht e gjetur. Por, edhe kjo tingëlloi si një shaka cinike, kur në krahë të Edi Ramës qëndronte njeriu, i cili në atë dhjetor ‘90, qëndronte përballe meje e shumë moshatarëve të mi 20-vjeçare, studentë në atë kohë, në të kundërt të asaj ëndrre... dhëmballështrënguar, me një shkop gome në dorë drejtonte dikasterin më të dhunshëm të diktaturës. E asnjërit prej këtyre personazheve nuk iu drodh syri. Duarshtrënguar qëndronin në podium, si para dhe gjatë 18 vjetëve, e mbase shihnin syhapur ndonjë ëndërr me ministër. Ndoshta nuk kuptuan PËR KË fliste Rama, ose ndoshta kuptuan më mirë se unë PËRSE fliste Rama. Me siguri kuptuan se ai kumtim i kryetarit do të jetë veçse gomonia e radhës, për t’i trafikuar me sukses në Parlamentin e një Shqipërie që realisht po ndryshon, e një Shqipërie moderne, e një Shqipërie me rrugë e me drita, e një Shqipërie me rroga e pensione të dyfishuara, e një Shqipërie model stabiliteti e zhvillimi në Ballkan, e një Shqipërie evropiane, e një Shqipërie në NATO, po edhe e një Shqipërie që nëse ne studentët e ‘90 dhe ata që na udhëhoqën nuk do kishim sfiduar personazhe të tille, nuk do kishte ardhur kurrë.

E një Shqipërie që para 18 vjetësh i nxori nga dera e që këta iu futën gjatë 18 vjetëve nga dritarja.

Sot Edi Rama ka detyrimin qytetar të sqarojë për kë po fliste. Para gjithçkaje, ai ka një betejë për të fituar, e kjo është Beteja me të Vërtetën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›